Shkup, 12 shkurt 2011, NOA- Shoqatat e veteranëve maqedonas të konfliktit të fundit në Maqedoni vlerësojnë se incidenti i rrënimit të kishës në Kalanë e Shkupit është rikthim në ngjarjet e parakonfliktit të vitit 2001.
Stojançe Angelov, kryetari i shoqatës “Dinjiteti” i shoqëruar nga anëtarë të shoqatës, ish-pjesëtarë të njësiteve të çarmatosura të policisë dhe ushtrisë maqedonase vizitoi sot objektin e kishës në Kalanë e Shkupit.
“Ne përfaqësuesit e forcave të sigurisë, dëshirojmë ta përkujtojmë opinionin maqedonas, se në mënyrë të ngjashme me dhunimin e objekteve kulturore, historike dhe fetare në Kalanë e Tetovës, para plotë 10 viteve filloi konflikti i armatosur. U bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që menjëherë ti gjejnë kryerësit e veprës, ata mund të shihen në video incizimet dhe kundër tyre menjëherë të ndërmarrin masa”, deklaroi Angelov.
Kjo shoqatë ka tërhequr vërejtjen se ky incident mund të jetë pjesë e ndonjë skenari për destabilizimin e Maqedonisë.
Edhe një shoqatë tjetër e veteranëve maqedonas “Bedem” ka reaguar lidhur me incidentin në Kala, duke kërkuar që të dënohen autorët e incidentit dhe politikanët që nxisin urrejtje ndërfetare.
“Maqedonia nuk guxon të jetë vend ku përhapet fundamentalizëm fetar. Ky akt na rikthen kujtimet e vitit 2001. Po ndërtohen me qindra xhami nëpër Shkup dhe Maqedoni, dhe askujt kjo nuk po i pengon”, theksuan përfaqësuesit e shoqatës “Bedem”.
Incidenti në Kalanë e Shkupit ndodhi të enjten në mbrëmje kur qytetarë të vetorganizuar ndërprenë punimet e ndërtimit të kishës, për të cilën ishte arritur marrëveshje për ndërprerje të përkohshme të ngritjes së saj, për shkak të tensionimit të situatës etnike dhe fetare.
(INA)/ NOA