English

Berisha: Haxhiqamilët po ringjallen dhe sot

Durrës, 13 shkurt 2011, NOA – 94 vite më pas prehjes së tij në kryeqytetin e Austrisë Vjenë sot janë riatdhesuar në tokën amë në qytetin e Durrësit eshtrat e rilindësit tonë të madh Dom Nikollë Kaçorri. Me këtë rast në Katedralen Katolike të Shën Luçisë në qytetin e Durrësit, Arqiqepshkvnia metropolitane e Tiranës dhe Durrësit ka mbajtur një meshë kushtuar riatdhesimit të eshtrave të rilindësit, të cilat pas zhvarrosjes i kthehen Shqipërisë pas përpjekjesh të tëra të familjes Kaçorri, e cila jeton në Vjenë dhe me përkrahjen e veçantë të qeverisë austriake e ndihmën e Misionit Katolik Shqiptar.

Kleriku i shquar, Imzot Nikollë Kaçorri, është një nga personalitet që firmosi Pavarësinë e Shqipërisë, ndërkohë ai qe nënkryetar i qeverisë së Vlorës në 1912-ën si dhe protagonist kryesor i zhvillimeve kulturore dhe politike me peshë kombëtare, ndërsa më herët ishte pjesëmarrës edhe në Kongresin e Manastirit, ku u përcaktua alfabeti i gjuhës shqipe që gëzojmë edhe sot e kësaj dite.

Në këtë ceremoni kishtare morën pjesë përveç Arqipeshkvit metropolit të Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, dhe klerikëve të tjerë edhe kryeministri Sali Berisha si dhe Kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli.

Në fjalën e tij shefi i qeverisë theksoi se “sot i përulemi me mirënjohjen më të thellë njërit prej burrave më të shquar të historisë sonë kombëtare, ndaj njërit prej personaliteteve, arkitektit kryesorë të pavarësisë së vendit, Dom Nikollë Kaçorrit. Burrit që do të zbriste nga kreshtat e Lurës për të mbetur përjetë kreshtë e virtyteve shqiptare, për të mbetur kreshtë frymëzimi dhe besimi të shqiptarëve tek zoti, tek vendi i tyre, tek flamuri, tek e ardhmja. Dom Nikollë Kaçorri, u përket atyre burrave, të cilët dhanë për këtë komb dhe për këtë vend, më shumë se kushdo tjetër, dhanë për mëvetësinë, lirinë, dinjitetin e tyre”, vlerësoi Kryeministri.

Ai u shpreh se Imzot Nikollë Kaçorri, shndërroi dioqezën e tij jo vetëm në një kështjellë besimi tek Krishti dhe zoti, por në një kështjellë besimi të pathyeshëm, tek flamuri dhe Shqipëri, pasi sikundër tha zoti Berisha, nuk ishte aspak rastësi që qyteti mijëravjeçar i Durrësit u përzgjodh për tu valëvitur flamuri i pavarësisë.

Duke e cilësuar një flamurtar të pamposhtur, shefi i ekzekutivit u shpreh se në jetën e tij, të meshtarit Dom Nikollë Kaçorri nuk e ndau punën e tij nga porosia e Krishtit, e cila për të duket të ishte “Jepi Shqipërisë atë që i takon”.

Duke risjellë në vëmendje historinë shqiptare dhe themelimin e qeverisë së Vlorës që erdhi post-pavarësisë, Berisha theksoi se “në Shqipëri në krye të lëvizjes shqiptare dhe përpjekjes së shqiptare, ishte ai që do të emërohej zëvendëskryeministri i qeverisë së parë shqiptare, Dom Nikollë Kaçorri. Babai i pavarësisë Ismail Qemali, të cilët shqiptarë përjetësisht i detyrohen për veprën e tij të madhe, ia doli ta shpëtojë nga kthetra dhe planet e ndarjes dhe këtë vend ku do shpallej pavarësia, erdhi në Durrës për ti dhënë flamurin, flamurtarit, por tradhtitë dhe përpjekjet e fundit të portës, e bënë të pamundur shpalljen e pavarësisë në këtë qytete dhe delegacioni u zhvendos në Vlorë, ku shpalli pavarësinë dhe ne presim me kënaqësi, dinjitet dhe mirënjohjen më të thellë 100 vjetorin e saj”, rikujtoi Kryeministri Berisha.

Duke folur rishtas për qeverinë e Vlorës, zoti Berisha tha se “Qeverinë e Vlorës, bashibozukë, mercenarë, antishqiptarë, nën flamurin rroftë baba poshtë shkaba, do ta zhysnin vendin në kaos. Shqipëria do të hynte në një përpëlitje tjetër të madhe, për ti shpëtuar ambicieve lakmitare, lakmive të papërmbajtura të fqinjëve për copëtimin e saj, ndaj dhe një nga themeluesit kryesorë i pavarësisë vdiq me një brengë të madhe për vendin e tij. Por krenaria jonë është sot është se ky kthehet në një vend, i cili është vend anëtar i NATO-s ashtu siç edhe e kishte projektuar ai . Të mos harrojmë se Dom Nikollë Kaçorri, është një nga themeluesit e alfabetit shqiptare bashkë me Atë Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Motra Qiriaqi, i dhanë fjalës shqipe germën e vet të lindur, i dhanë alfabetit evokacionin shpirtëror të kombit shqiptarë”, u shpreh shefi ie qeverisë.

Sipas tij, Dom Nikollë Kaçorri kthehet i lumtur në tokën e tij, sepse shqiptarët janë të lirë, sepse Kosova është e lirë”.

Duke hequr paralele me luftën e opozitës për rrëzimin e qeverisë së tij, kryeministri Berisha garantoi se don kishotërit e historisë nuk mund ta ndalin hapin drejt Europës.

“Natyrisht, sot na del para ndonjë Haxhi Qamil, sërish bërtet rroftë baba, por këto janë don kishotër të historisë, Hapin tonë, vullnetin tonë, vendosmërinë tonë për të ecur drejt Europës, nuk do të mund ta pengojë asgjë. Dom Nikoll Kaçorri është një burim frymëzim i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë rrugë”, tha kryeministri Berisha.

Ai e përfundoi fjalën e tij me bindjen e thellë se të gjithë shqiptarët, katolikë, muslimanë apo ortodoksë që Shqipërinë e kanë komb e cilësojnë Dom Nikollë Kaçorrin si shenjtorin e pavarësisë së kombit shqiptar.

mit/NOA

KOMENTE