English

KE mund të heq rekomandimin për statusin e Maqedonisë

Bruksel, 13 shkurt, NOA - Komisioni Evropian mund të tërheq rekomandimin për Maqedoninë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE për shkak të shqetësimeve nga situata politike.

Rekomandimi mund të tërhiqet për ti dërguar sinjal serioz Qeverisë në Shkup se nuk është e pjekur dhe serioze për tu ballafaquar me problemet kyçe, shkruajnë mediat maqedonase.

Brukseli zyrtar vlerëson se Maqedonia akoma nuk po arrin që të mbyll shumë çështje të ndjeshme si: sundimi i së drejtës, mungesa e dialogut politik, shqetësimet e shqiptarëve për mosrealizimin e Marrëveshjes së Ohrit 10 vite pas arritjes së saj, reformat në gjyqësor si dhe liria e mediave, etj.

Nuk ka asnjë rregullativë apo ligj që pamundëson Komisionin Evropian që të tërheq rekomandimin, por deri tani ndaj asnjë vendi nuk është ndërmarrë ndonjë hap i tillë.

Diplomatë europerëndimor kanë bërë të ditur kohë më parë se dhënia e rekomandimit për Maqedoninë ishte një nxitje dhe shtytje për kryeministrin Nikolla Gruevski që të krijojë hapësira lehtësuese për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

BE ka shprehur shqetësimet se vendi nuk është i aftë për të zgjidhur nëpërmjet dialogut të brendshëm politik çështjet e hapura duke treguar unitet për qëllimet strategjike. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë, eurodeputeti slloven Zoran Taler hapur ka shprehur pakënaqësi ndaj politikës izoluese të praktikuar nga kryeministri Gruevski dhe mungesën e iniciativave për zgjidhjen e problemeve në vend.

“Kryeministri Gruevski nuk shpreh gatishmëri për kompromis dhe nuk ndjek sinjalet e bashkësisë ndërkombëtare. Ai nuk ndjenja për pragmatizëm, ndërsa me politikën që po udhëheq po e mban peng dhe nën izolim vendin”, deklaroi Taler.

NOA/INA

KOMENTE