Lushnje, 13 shkurt 2011, NOA – Në kuadër të operacionit policor të koduar “Bunkeri” efektivët e komisariatit të Lushnjes në bashkëpunim me ata të Fierit pas informacioneve dhe kontrollit të ushtruar në një bunker që ndodhej pranë fshatit Konjat të komunës Dushk kanë sekuestruar një armë zjarri, një sasi tritoli dhe një sasi lënde narkotike të fshehura brenda në bunker. Pas konfiskimit të provave, në orën 22.00 të mbrëmjes së të shtunës policia e finalizoi operacionin e saj “Bunkeri” me prangosjen në flagrancë të tre personave.
Të arrestuarit në fjalë janë që të tre banues në fshatin Konjat të Komunës Dushk të qytetit të Lushnjes.
43-vjeçari Lirim Ramadan Spahiu, u vu në pranga pasi në banesën e tij u gjetën 1.055 kg Cannabis Sattiva; 29-vjeçarit Artan Hamit Badini, të cilit në banesën e vet iu gjetën 0.965 kg Cannabis Sattiva si dhe u arrestua 46-vjeçari Ramazan Gani Përgjegji, i cili u arrestua pasi në pronën e tij në një gropë iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë automatike model 56, 9 kallëpe lëndë plasëse tritol, katër kapsolla detonatore dy prej të cilave të lidhura me fije elektrike, 7.3 fitil zjarrpërcjellës.
Po kështu blutë e Durrësit thanë se në një bunker pranë pronës së Ramazan Përgjegjit, nga i cili mori emrin operacioni policor, u gjetën dhe sekuestruan një qese plastike me 2.1 gr lëndë narkotike e llojit Cannabis sattiva.
Pas hetimeve të policisë, të tre të arrestuarit i kanë kaluar tashmë në dispozicion të hetimit prokurorisë së Lushnjes, e cila i akuzon ata veprat penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake si dhe prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike.
mit/NOA