English

Një president mbi polemikat

"Është një nga ata persona që e njeh Kushtetutën në detaje. Ruan gjakftohtësinë, nuk rrëmbehet lehtë, nuk del kurrë nga roli tij. Asnjë njeri, as nga e djathta e as nga e majta, prej nga ka dalë, nuk mund ta akuzojnë se kanë mundur ta tërheqin nga mënga për ta përdorur”, shprehet njëri prej bashkudhëtarëve të tij, Emanuele Macaluso. Banori i Quirinales (pallati presidencial) ka qenë gjithnjë një njeri me eksperiencë. Socialist dhe shefi mitik i Rezistencës, Sandro Perini, ishte 82 vjeç kur u zgjodh President më 1976 ".

Richard Heuze*

Giorgio Napolitano nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se një ditë do të gjendej në mes të një furtune, kur u zgjodh President i Republikës italiane më 10 maj 2006. Nuk ka asnjë ditë që këtij intelektuali me stil të moderuar, i dalë nga një lëvizje komuniste, nuk i duhet të ndërhyjë për të zbutur palët në konflikt, t’u kërkojë atyre të qetësohen, të arsyetojnë dhe të respektojnë institucionet. Sepse që prej kohës kur Silvio Berlusconi nisi t’i hidhte benzinë zjarrit, duke denoncuar komplotin kundër përmbysjes së rendit, duke e quajtur kështu hetimin që kanë nisur kundër tij prokurorët e Milanit, klima politike në Itali është ndezur. Kreu i shtetit la që të kuptohej se nuk ishte dakord me dhunën verbale të Kryeministrit. Në fillim konflikti i dhunshëm me Gianfranco Finin, presidentin e Dhomës së Deputetëve. Më pas me prokurorinë e Milanos, e cila është duke hetuar mbrëmjet e tij pikante, në rezidencën milaneze.

Napolitano është një burrë i qetë. Dhe këtë gjë e vërteton karriera e gjatë politike. “Ai ka qenë gjithnjë në zemër të institucioneve. Është një nga ata persona që e njeh Kushtetutën në detaje. Ruan gjakftohtësinë, nuk rrëmbehet lehtë, nuk del kurrë nga roli tij. Asnjë njeri, as nga e djathta e as nga e majta, prej nga ka dalë, nuk mund ta akuzojnë se kanë mundur ta tërheqin nga mënga për ta përdorur”, shprehet njëri prej bashkudhëtarëve të tij, Emanuele Macaluso. Banori i Quirinales (pallati presidencial) ka qenë gjithnjë një njeri me eksperiencë. Socialist dhe shefi mitik i Rezistencës, Sandro Perini, ishte 82 vjeç kur u zgjodh President më 1976. Në këtë moshë vdiq vitin e shkuar Francesco Cossiga, më i riu që u zgjodh President në vitin 1985, kur ishte vetëm 57 vjeç. Napolitano sot është 86 vjeç.

Me origjinë napolitane, ai i mbaroi studimet e shkollës së mesme gjatë luftës së Napolit, më pas në Padova. Do të rikthehej në Napoli për të përfunduar studimet e tij për juridik. Pas çlirimit ai u gjend në rangjet e Partisë Komuniste. Është konsideruar gjithnjë një “i moderuar”, një shprehje jo fort e dashur për nomenklaturën komuniste të kohës. Në vitin 1964, pas vdekjes së Togliattit, ai u bë shefi i lëvizjes që mbronte idenë e socializmit demokratik, ai ishte një nga të parët në gjirin e Partisë Komuniste Italiane (PKI) që e dënoi represionin e Pragës në vitin 1968. Më pas ai denoncoi me forcë pushtimin sovjetik të Afganistanit. Napolitano është një mbrojtës i institucioneve. E gjithë karriera e tij ka qenë një vrapim i ngarkuar me lavdi. Deputet në vitin 1953 në radhët e PKI-së; President i Dhomës së Deputetëve më 1992; ministër i Brendshëm në qeverinë e parë Prodi më 1996 (ai ngriti kampet e pritjes për emigrantët); parlamentar europian nga 1999-2004, ku drejtoi komisionin për çështjet kushtetuese; në shtator 2005 u zgjodh senator i përjetshëm dhe një vit më pas zgjidhet nga Parlamenti President i Republikës me 543 vota pro nga 990, në raundin e katërt. Por në kushtet që ndodhet Italia është e vështirë të jesh president. “Ai duhet të ndërhyjë në jetën politike, pasi është krijuar një boshllëk.

Nuk e bën këtë gjë për të treguar peshën politike, pasi kjo nuk është as misioni e as ambicia e tij. Por sistemi është dobësuar. Duhet të respektohen institucionet, thënë ndryshe rregullat e lojës demokratike”, shkruan editorialisti i Il Sole 24 ore, Stefano Folli. Pasiguritë e mëdha të kohëve të fundit, përplasjet e forta mes Kryeministrisë dhe prokurorëve, debati i ashpër për vendosjen e një federalizmi fiskal, i kanë dëmtuar marrëdhëniet e popullit me politikën. Presidenca është i vetmi institucion ku besojnë italianët.

Napolitano është një politikan me të vjetrën. Ai i shkruan me shkrim dore fjalimet e tij, një shkrim i shtruar, me një stil perfeksionisti. Shkrimi elegant na lejon të njohim intelektualin pas këtij burri shteti. I moderuar në sjelljet e tij publike dhe private, ai është e kundërta e Berlusconit. I matur në fjalë, përballë lumit të fjalëve të kreut të këshillit të ministrave. Pak dihet për jetën e tij private. I njohim atij vetëm një lidhje të gjatë, atë me Clio Maria Bittonin, me të cilën është martuar më 1935. Pas zgjedhjes së tij si President, çifti u vendos në Quirinale, për të treguar se mishëron qëndrueshmërinë e institucioneve italiane.

*Le Figaro

KOMENTE