Tiranë, 13 shkurt 2011, NOA – Partia Demokratike ka vijuar edhe sot akuzat ndaj Kryeprokurores Ina Rama, duke e akuzuar atë si përgjegjësen e vetme të rrjedhjeve të përditshme të informacioneve mbi hetimin e 21 janarit në media. Në një konferencë të posaçme për shtyp, Kryetari i Grupit Kuvendor Demokrat Astrit Patozi deklaroi sot se “Prokurorja e Republikës, Ina Rama, i lejoi vetes të sulmonte institucionet kushtetuese duke i shtuar një kapitull të ri rolit të saj të shëmtuar në trajtimin e grushtit të dështuar të shtetit”.
“Përmes një deklarate të pacipë, zonja që drejton akuzën në Shqipëri, guxoi ta drejtonte gishtin pikërisht mbi institucionet, që rezistuan dhe bënë që të dështojë dhuna dhe barbaria e 21 janarit, e cila planifikonte përmbysjen e qeverisë legjitime të kësaj mazhorance”, u shpreh deputeti Patozi.
Sipas tij me deklaratën e djeshme, Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama kërkoi që të mbulojë implikimin e saj politik dhe amoralitetin e theksuar profesional, që sikundër akuzoi Patozi, zonja Rama po e dëshmon përditë e më shumë, që pas ngjarjeve të rënda të 21 janarit.
Kryetari i Grupit kuvendor demokrat tha ndërkaq se “Prokurorja e Përgjithshme, që ka kurajo të sulmojë parlamentin, është në fakt përgjegjësja e vetme për nxjerrjen e përditshme të çdo elementi të hetimit për grushtin e shtetit, të cilin ajo dhe të tjerë e konsiderojnë thjesht si ngjarja në Bulevard”.
E në këtë kontekst Patozi i kujtoi Kryeprokurores rrjedhjen e fjalës “lapsus”, e cila sikundër tha Patozi doli nga goja e lidershipit të opozitës, vetëm gjysmë orë pas komunikimit të Ina Ramës me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj.
Duke iu referuar mbiemrit të saj, kreu i grupit të demokratëve tha se mbiemri i përbashkët është gjëja më e vogël që lidh atë me kryetarin e Partisë Socialiste.
Mandej duke marrë në referim kërkesën për arrestim të gardistëve të Republikës, zoti Patozi nënvizoi se “ky vendim arbitrar është i ngjashëm me kërkesën për arrestimin e të gjithë zinxhirit komandues të Gardës, vetëm pak orë pasi këtë gjë e kishte kërkuar Edi Rama, mëngjesin 22 janarit”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Astrit patozi dënoi me forcë veprimet me sfond politik të Prokurores së përgjithshme Ina Rama.
Sipas tij pavarësisht përpjekjeve të qarta të “zonjave” dhe “zotërinjve” të Bulevardit për të bllokuar apo dështuar hetimet, mazhoranca qeverisëse është e vendosur të zbardhë përfundimisht gurshtin e dështuar të shtetit.
Ai paralajmëroi se autorët dhe aktorët e 21 janarit do të mbajnë të gjitha përgjegjësitë për atë që u shënua në 21 janar.
mit/NOA