English

Policia: Në 2 ditë 78 arrestime, u kapën dhe 11 kg drogë

Tiranë, 13 shkurt, NOA – Vetëm gjatë dy ditëve të fundit policia ka arritur të ndalojë 78 persona dhe të kap rreth 11 kilogramë drogë të llojeve të ndryshme.

Shifrat janë publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Sipas saj mes personave të arrestuar, 29 janë arrestuar e ndaluar për vepra të tilla penale si: vrasje, vjedhje me dhunë, prodhim e shitje narkotikësh, vjedhje, armëmbajtje pa leje etj. Ndërsa 49 autorë të veprave penale ndiqen në gjendje të lirë.

Gjithashtu, policia ka kapur 18 persona të shpallur në kërkim, ndër të cilët një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Sipas policës janë bllokuar 16 armë zjarri të llojeve të ndryshme, si dhe sasi të konsiderueshme fishekësh dhe lënde plasëse, të cilat mbaheshin pa leje.

Ndërkohë që në luftën kundër trafiqeve të drogës, policia ka sekuestruar rreth 6 kg e 400 gram lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë, si dhe rreth 5 kg e 420 gram cannabis sattiva.

Veç policisë kriminale balancë pozitiv ka edhe Policia Rrugore. Sipas policisë janë vendosur 4.192 gjoba për shkeljet e konstatuara. Në 63 raste drejtuesve të automjeteve u është hequr leja e drejtimit për përdorim të pijeve alkoolike, ecje me shpejtësi tej normave të lejuara apo shkelje të tjera në kundërshtim me normat e Kodit Rrugor.

Ndërkohë që janë bllokuar gjithashtu 52 automjete dhe konfiskuar 2 për mangësi apo shkelje të ndryshme në dokumentacion.

a.k/NOA

KOMENTE