Tiranë, 13 shkurt 2011, NOA – Policia e Shtetit ka reaguar sot pas deklaratave të mbrëmshme të Prokurorisë, duke i cilësuar të habitshme akuzat e organit të akuzës, që sipas Policisë ia kishte hedhur kësaj të fundit fajin për rrjedhje informacionesh të hetimit të 21 janarit dhe për pasojë botimin e këtyre materialeve në mediat e shkruara. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Policisë së Shtetit Laura Totraku duke iu referuar këtyre pretendimeve dhe akuzave sipas saj të padëgjuara ndonjëherë më parë tha se Policia e Shtetit fton Prokurorinë të ndërmarrë menjëherë një hetim të plotë
e të gjithanshëm rreth këtyre çështjeve dhe i ofron asaj bashkëpunimin e
plotë.
Në këtë kontekst totraku sqaroi se “Policia e Shtetit thekson se në hetimin mbi katër viktimat akti i parë i Prokurores së Përgjithshme ka qenë përjashtimi i Policisë së Shtetit nga hetimi. Ndërkohë theksojmë se pikërisht në lidhje me këtë pjesë të hetimit
janë botuar rreth 100 shkrime në media të përzgjedhura”.
Sipas Totrakut, Policia e Shtetit disponon fakte se gazetarë të këtyre mediave i kanë
pohuar prokurorisë se burimi është vetë ajo.
“Policia e Shtetit thekson se në qindra praktika të saj si me institucionet e
shtetit shqiptar ashtu dhe me organizatat ndërkombëtare apo partnerët tanë
nuk ka patur as edhe një rrjedhje të vetme”, tha zëdhënësja e Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit shprehu vendosmërinë për një bashkëpunim të plotë ligjor me
Prokurorinë, ndërkohë që dënoi rrjedhjen e përditshme të
dokumentave të hetimit në shtypin e përditshëm.
mit/NOA