English

Presidenti takim me Wollfarth për 8 majin

Tiranë, 13 shkurt 2011, NOA – Kur na ndajnë vetëm tre muaj nga zgjedhjet vendore të 8 majit, dhe kur në sipërfaqe nuk duket asnjë bashkëpunim nga opozita për marrjen pjesë në këto zgjedhje, Presidenti i Republikës, Bamir Topi është mobilizuar në lëvizjet e tij politike duke kërkuar në fillimjavën e ardhshme një takim me kreun e prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Eugen Wollfarth. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se takimi është kërkuar nga Kryetari i Shtetit për t’u mbajtur të hënën në orën 11.00 në Presidencë.

Sipas këtyre burimeve lajtmotiv i takimit do të jenë zgjedhjet vendore të 8 majit, që sikundër Presidenti konfirmoi ditë më parë janë një nga çështjet kyçe të punës së tij në këto momente, pasi zgjedhjet janë dekretuar nga ai vetë në 8 maj.

Kjo lëvizje e Presidentit Topi vjen ndërkohë kur opozita ka bojkotuar edhe pjesëmarrjen e saj në mbledhjet e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e 8 majit pa opozitën, duke dëshmuar dorazi edhe pavullnetin e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore.

Opozita e argumenton qëndrimin e saj ende të padeklaruar publikisht me pretendimin se Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të parakohshme për të larguar nga pushteti qeverinë e korruptuar të kryeministrit Sali Berisha, i cili për më tepër sikundër akuzojnë socialistët është edhe përgjegjësi i vrasjes së katër demonstruesve në 21 janar si dhe përgjegjësi për varfërimin e ekonomisë shqiptare.

Edhe vetë Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth u ka bërë thirrje në vazhdimësi palëve politike të përgatiten për zgjedhjet vendore, duke dërguar në KQZ komisionerët përkatës të KZAZ-ve, afati ligjor për dërgimin e të cilëve ishte datë 24 janar.

mit/NOA

KOMENTE