Tiranë, 13 shkurt 2011, NOA/ Irma Toptani – Pas akuzave të Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta të lëshuara nga Korça ndaj Kryeprokurores Ina Rama, të cilën e akuzoi se mban anën e lidershipit të PS-së, ka reaguar edhe selia rozë, e cila deklaroi se Ilir Meta është në një siklet të madh, andaj sipas saj sulmon prokurorinë dhe kreun e saj, Ina Rama.
“Është ky një siklet me zë e me figurë, një video ku Ilir Meta me bllok në dorë u tregoi të gjithë shqiptarëve se mbi çfarë korrupsioni e aferash është ngritur koalicioni i turpit mes tij dhe Sali Berishës”, tha në një konferencë për shtyp deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhaçka.
“Ilir Meta ka një siklet të madh e prandaj sulmon Prokurorinë e drejtësinë. Shantazhon e kërcënon me shpresën e vagullt se kështu do mund t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor për vjedhjen me bllok në dorë që s’ka mbetur kush pa e parë tanimë”, deklaroi deputetja Xhaçka.
Sipas Xhaçkës vetëm një njeri i kapur me shpatulla pas murit me zë e me figurë teksa vjedh mund të veprojë si Ilir Meta, i cili sikundër kujtoi deputetja socialiste, nga një thotë se do i vihet në dispozicion drejtësisë, nga ana tjetër hedh çdo ditë vrer mbi Prokuroren e Përgjithshme.
Deputetja socialiste nënvizoi sakaq se Ilir Meta e ka të humbur gjyqin e opinionit publik, për faktin e thjeshtë se ai nuk është vetëm shëmbëlltyra e korrupsionit dhe vjedhjes me bllok në dorë por edhe arsyeja e vrasjes së katër demonstruesve.
“Kot përpëlitet Ilir Meta. Mbi Ilir Metën rëndojnë sot po aq sa mbi Sali Berishën edhe jetët e humbura të 21 janarit. Ishte videoja e tij që shkaktoi atë zemërim popullor që shpërtheu në 21 janar. Dhe ishin urdhrat e shefit të tij që plagosen shqiptarë të pafajshëm e morën jetë shqiptarësh të pafajshëm për llogari të vjedhjeve të Ilir Metës e Koalicionit të Turpit ku ai bën pjesë”, sqaroi deputetja socialiste Olta Xhaçka.
mit/NOA
VIDEO: Replika të ashpra PS-LSI
[media id=120 width=600 height=440]