English

Rama: Prokuroria ka vullnet për të bërë drejtësi

Fier, 13 shkurt 2011, NOA/ Irma Toptani– Sikundër një javë më parë në familjen e Hekuran Dedës, edhe këtë fundjavë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda dhe e ëma, Aneta, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ngushëlloi familjen e Faik Myrtaj në Cakran të Fierit, e cila humbi të dashurin e saj në demonstratën e 21 janarit.

Shefi i opozitës gjatë ngushëllimit në familjen e demonstruesit të vrarë, u tha familjarëve të të ndjerit Myrtaj se “Mesa po duket deri tani, së paku ka një vullnet nga Prokuroria për të bërë drejtësi. Drejtësia është një domosdoshmëri jo vetëm për ju, por për të gjithë shoqërinë”, theksoi zoti Rama.

Por duke iu referuar faktit të dhimbshëm se Faik Myrtaj la pas dy fëmijë, kryesocialisti Rama u tha atyre se “Babain nuk jua zëvendëson dot asgjë e askush, duke i siguruar ata se “megjithatë ne jemi në dispozicion shoqërisht, shpirtërisht për çdo nevojë dhe megjithë sa mundemi”.

Faik Myrtaj, bujk dhe baba i dy fëmijëve ishte një ndër katër demonstruesit që dyshohet se mbetën të vrarë me armë zjarri nga Garda e Republikës në 21 janar 2011.

Në momentin kur ai u qëllua ndodhej në anën tjetër të bulevardit nga Kryeministria.

Të afërmit e Faik Myrtaj gjatë takimit me shefin e PS-së kërkuan që drejtësia të vihet në vend sepse njerëzit nuk mund të vriten në këtë mënyrë.

Kërkesa e tyre u mbështet nga Kryetari i socialistëve, i cili u shpreh se Prokuroria ka një vullnet për të vënë drejtësinë në vend dhe për të nxjerrë përpara saj përgjegjësit e vrasjes së demonstruesve të pafajshëm në 21 janar, në demonstratën pranë godinës së kryeministrisë.

mit/NOA

VIDEO

[media id=119 width=600 height=440]

KOMENTE