English

Realpolitika e SHBA dhe shqiptarët

Geri Q. Kokalari

Ndërsa shohim se si shpalosen ngjarjet në Egjipt nuk është e vështirë të bëhen krahasimet me Shqipërinë.

Që të dy vendet sundohen nga regjime autoritare dhe të korruptuara që kanë humbur sensin e realitetit. Qeveritë imorale të drejtuara nga Mubaraku dhe Berisha kanë përfituar nga një politikë e jashtme amerikane që ka për tendencë të marrë anën e stabilitetit në kurriz të lirisë e të dinjitetit. Politikëbërësit amerikanë dhe europianë u bëjnë thirrje shqiptarëve të shmangin protestat, kërkesë kjo që është në të mirë të interesave të tyre, por jo detyrimisht në të mirë të interesave te shqiptarëve. Në fund të fundit, diplomatët amerikanë që kërkojnë vetëpërmbajtje, gradohen më shumë për shfryrje të situatave të krizës se sa për promovim të ndryshimeve politike.

Me gjithë faktin që shqiptarët në mënyrë naive i kanë vënë në piedestal, të dërguarit amerikanë në Rrugën e Elbasanit kanë një histori të gjatë sjelljesh të dyshimta, ku përfshihet roli i tyre në aferën AEY, Gërdec, dhe New World Telecom. Ata vazhdimisht kanë mbyllur një sy për korrupsionin e qartë të qeverive Nano dhe Berisha në shkëmbim të dërgimit të ushtarëve shqiptarë në Afganistan dhe në Irak.

Amerikanët, në bazë të shkollës së real politikës në marrëdhëniet me jashtë, e cila shpesh përdor trajtimin e kulaçit dhe të kërbaçit, kanë gabuar në shumë raste në të kaluarën.

Shembulli më famëkeq i strategjisë së bazuar në realpolitikën është dështimi me rënien e Shahut të Iranit. Amerikanët e përkrahën Shahun fuqimisht, pavarësisht se ai kryesonte një regjim të korruptuar dhe brutal. Pasojat e këtij dështimi ende e prekin politikëbërjen në Uashington.

Gjatë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Berishës iu dha kulaç me të tepërt dhe pak kërbaç. Përpara se Shqipërisë t’i lejohej hyrja në NATO, qeveria Berisha duhej të detyrohej të bënte reforma reale dhe të matshme për sa i përket forcimit të institucioneve demokratike, luftës kundër korrupsionit dhe zbatimit të sundimit të ligjit të vërtetë dhe transparent.

Meqenëse zyrtarët e NATO-s e humbën një mundësi të tillë, tani Shqipëria po troket në dyert e BE-së pra kemi një shans të dytë. Për të dy palët, popullin shqiptar dhe vendet anëtare të BE-së është në interesin afatgjatë të tyre që reformat kuptimplotë të jenë pjesë detyruese e formulës për pranimin e Shqipërisë në BE.

Njëlloj si Berisha, Mubaraku me kujdes ka bashkëpunuar me amerikanët për interesat e tyre kryesore strategjike rajonale. Për tre dekada, politika e jashtme amerikane ka pasur objektiv konstant demokratizimin e Egjiptit. Por Mubaraku arrinte t’i shtynte pafundësisht reformat demokratike, sepse ai me dinakëri shfrytëzonte prioritetin amerikan të ruajtjes së paqes me Izraelin. Mubaraku gjithashtu ushqente imazhin e personit-rojë kundër zgjerimit të islamit radikal në Egjipt. Gjë që ofronte përkrahjen e fuqishme nga Uashingtoni.

Pas zgjedhjeve të vitit 2005, Berisha dhe Amerika patën rastin e artë për ta reformuar Shqipërinë dhe për të forcuar institucionet demokratike. Fatkeqësisht, Berisha shfrytëzoi çdo mundësi për të pasuruar veten dhe miqtë e tij, ndërsa forconte pushtetin e vet. Njëkohësisht amerikanët nxitën programe demilitarizimi të municioneve me rrezikshmëri të lartë dhe duartrokitën Berishën sa herë çonte djem të rinj për të rrezikuar jetën në Afganistan dhe në Irak.

Nuk është sekret për Uashingtonin që Shqipëria vuan nga institucione politike dhe juridike të papjekura. Ishte mjaft shqetësuese që zyrtarët e Departamentit të Shtetit qëndruan mënjanë ndërsa themelet e këtyre institucioneve gërryheshin nga qeveria Berisha. Pasojat negative përfshinë dështimin e qeverisë Berisha për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, lejimin e lulëzimit të korrupsionit në nivelet më të larta qeveritare, shtypje të lirisë së fjalës dhe sabotim aktiv të parimeve të sundimit të ligjit.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Shtetet e Bashkuara kanë pasur fatin të kenë një marrëdhënie speciale me popullin shqiptar. Kjo provohet nga fakti që shqiptarët janë ndër përkrahësit më të fortë të SHBA-së. Në një kohë kur është e vështirë të kesh miq. Për momentin një marrëdhënie e tillë mbetet e paprekur, gjithsesi nëse SHBA-ja vazhdon ta injorojë keqtrajtimin e shqiptarëve nga liderë të korruptuar si Berisha ky idil dashurie mund të marrë fund. Sot ka shumë vende ku Amerika ofendohet sepse Amerika predikoi demokraci, por në realitet përqafoi regjime despotike dhe të korruptuara. Fatmirësisht ndjenja anti-amerikane nuk do të lëshojë kurrë rrënjë ndërmjet shqiptarëve.

Për të evituar turbullirat civile dhe gjakderdhjen në Shqipëri që do të destabilizonte Ballkanin, udhëheqësit europianë dhe amerikanë duhet të kërkojnë që Berisha menjëherë të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përtej çdo ndryshimi. Personat në politikën e jashtme amerikane të cilët ndihen mirë me instrumentet e realpolitikës për të bashkëpunuar me despotë, duhet të rikalibrojnë instrumentet e tyre politikë. Ardhja e internetit dhe e masmedias është një paradigmë e re për të promovuar dhe për të përfituar nga turbullirat politike që zhvillohen përpara syve të popullit në kohë reale. Kjo duhet të kihet parasysh nga pushtetmbajtësit në Uashington ndërsa po përpunojnë një kurs veprimi për marrëdhëniet e Amerikës me Shqipërinë.

Politikëbërësit duhet të paralajmërohen për një element rreziku shtesë në Shqipëri. Për shkak të trashëgimisë së kaosit të vitit 1997, ende AK-47 gjenden masivisht në duart e popullatës. Në rastin e një kryengritjeje totale brenda kufijve të mbyllur të një fushëbeteje urbane si Tirana, këto armë mund të shkaktojnë barazpeshim në rast konfrontimi midis civilëve dhe forcave qeveritare. Shqiptarët nuk kanë aspak dëshirë për t’u kthyer tek anarkia dhe konflikti i armatosur. Gjithsesi është krejt e qartë që ata nuk kanë dëshirë për një diktaturë të stilit të Enver Hoxhës. Thjesht shqiptarët duan të realizojnë ëndrrën e tyre për të jetuar në një demokraci të vërtetë. Këtë ëndërr ua vodhi përpara syve të tyre Sali Enver Hosni Berisha.

*Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin e NOA

KOMENTE