English

Topalli: Imzot Kaçorri burri që vuri themelet e shtetit shqiptar

Durrës, 13 shkurt 2011, NOA – “Dom Nikollë Kaçorri ishte një burrë i madh, një shqiptar i madh që vuri themelet e shtetit shqiptar. Është një ndër baballarët e kombit”. Kështu e ka cilësuar kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli rilindësin dhe klerikun e njohur Dom Nikollë Kaçorri, eshtrat e të cilit u riatdhesuan sot në vendin amë, pas 94 vitesh që preheshin në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë. E pranishme gjatë meshës kishtare të zhvilluar me këtë rast në katedralen e Shën Luçisë në Durrës, aty ku imzot Kaçorri shërbeu si meshtar për 23 vjet, kryeparlamentarja Topalli theksoi se “Dom Nikollë Kaçorri ka qenë një ndër aktivistët më të mëdhenj të çështjes kombëtare përpara dhe pas shpalljes së Pavarësisë. Firma e tij qëndron përkrah asaj të Ismail Qemalit në Deklaratën e Pavarësisë dhe ishte zëvendëskryeministri i parë i shtetit të pavarur shqiptar”, risolli në vëmendje ajo.

Pak vite më parë, me kërkesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit, Dom Nikollë Kaçorri u dekorua së bashku me pesë firmëtarë të tjerë të Deklaratës së Pavarësisë.

Eshtrat e imzot Kaçorrit, që u gjetën pas 20 vjet përpjekjesh në Vjenë, të mbështjella me flamurin kombëtar, rikthehen në atdhe pak muaj para 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, çështje të cilës ai i kushtoi të gjithë jetën.

mit/NOA

KOMENTE