English

Vetëvendsoja reagon për incidentin në Kalanë e Shkupit: Historia nuk tjetërsohet me dhunë

Prishtinë, 13 shkurt 2011, NOA- Lidhur me situatën që po ndodh në Kalanë e Shkupit në Maqedoni ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Nëpërmjet një deklarate për mediat ajo shpreh shqetësimin e saj duke thënë se, “Lëvizja Vetëvendosje, po i ndjek me shqetësim zhvillimet e sotme në Maqedoni, me ç’rast protestës paqësore të shqiptarëve kundër ndërtimit të kishës ortodokse mbi themelet e Kalasë së Shkupit, iu kundërvunë grupe të organizuara maqedonase, të cilët e kaluan situatën në dhunë”.

Lëvizja Vetëvendosje e konsideron vendimin e Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë për ndërtimin e kishës në themelet e Kalasë së Shkupit, si përpjekje artificiale për tjetërsimin e historisë iliro-shqiptare, në vazhdën e politikës shoviniste maqedonase të nënpërfaqësimit të popullit shqiptar dhe vlerave e traditave të tij.

Më tej në njoftim thuhet se, “Lëvizja Vetëvendosje e përkrah fuqishëm mbrojtjen e Kalasë së Shkupit nga ndërtimet e tilla kozmetike me karakter politik, si e drejtë legjitime e popullit shqiptar, për mbrojtjen e monumenteve historike e kulturore në trojet e veta”.

Njoftimi përmbyllet me fjalët: “I bëjmë thirrje Qeverisë Maqedonase që të heq dorë nga politika të tilla provokuese, por të aplikojë një qasje politike ku respektohen të drejtat e popullit shqiptar si popull shtetformues”.

a.y/NOA

KOMENTE