English

Zhduket statuja e çmuar e faraonit Tutankhamun

Kajro, 13 Shkurt 2011 NOA – Zhduket statuja e çmuar e faraonit Tutankhamun. Statuja unike është grabitur nga plaçkitësit që u futën në muze më 28 janar.

Për më tepër, edhe disa vepra të mëdha të artit janë zhdukur nga Muzeu i Egjiptit gjatë trazirave antiqeveritare.

UNESCO kishte ftuar autoritetet egjiptiane dhe protestuesit që të mbronin trashëgiminë kulturore të vendit dhe të respektojnë lirinë e të shprehurit gjatë krizës së vazhdueshme politike atje.

Reagimi ka pasuar raportimet mbi tentim-plaçkitjet në Muzeun Egjiptian të Kajros dhe në lokacionet tjera historike e kulturore. Irina Bokova, drejtore e UNESCO-s, deklaroi para pak ditësh se trashëgimia kulturore e Egjipit, qoftë në monumente apo artefakte, është pjesë e trashëgimisë antike të njerëzimit.

“Vlera e 120 mijë artikujve në Muzeun Egjiptian në Kajro është e pamatshme, jo vetëm në kuptimin shkencor apo financiar, por edhe për faktin se ato pasqyrojnë identitetin kulturor të popullit egjiptian”, ka thënë zonja Bokova në një komunikatë për shtyp.

Sakaq, jeta në Egjipt po i kthehet normalitetit. Dyqanet janë hapur, njerëzit kanë nisur punën, pas protestave kundër regjimit.

Disa protestues vazhdojnë të mbeten në kampet në sheshin Tahrir, duke kërkuar nga udhëheqësia ushtarake të veprojë më shpejt drejt demokracisë.

Këshilli i Lartë Ushtarak, që ka marrë drejtimin e vendit pas rrëzimit të presidentit Mubarak, nuk ka dhënë ndonjë afat kohor për tranzicionin, por ka thënë se do të angazhohet për sundimin civil dhe demokratik.

KOMENTE