Tiranë, 14 shkurt 2011, NOA Update – Ndërkohë që ritheksoi faktin se hetimi për zbardhjen e 21 janarit nga Prokuroria duhet të jetë i plotë e i besueshëm, Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu gjatë dorëzimit të raportit të ekspertëve amerikanë të ICITAP-it lidhur me ngjarjet e 21 janarit i bëri thirrje prokurorisë të vërë përpara përgjegjësisë si organizatorët, protestuesit edhe ata që qëlluan mbi turmën. Në fjalën e tij ambasadori amerikan tha se “Ata që organizuan dhe morën pjesë në aktet e dhunshme duhet të ballafaqohen me drejtësinë”.
Duke iu referuar hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme, zoti Arvizu tha se “Shumë herë e kemi theksuar se hetimi duhet të jetë i plotë, i gjithanshëm dhe i besueshëm. Hetimi duhet t’i përfshijë të gjitha fazat e ngjarjeve të 21 janarit, duke filluar që nga organizatorët, protestuesit, si dhe ata të cilët janë përgjegjës për faktin që u qëllua, gjë e cila rezultoi me një ditë tragjike dhe me vdekjen e katër shtetasve shqiptarë dhe plagosjen e shumë demonstruesve të tjerë, sikurse dhe plagët e shumta që morën forcat e policisë”, theksoi ambasadori i SHBA-ve.
Sipas tij është shumë e rëndësishme që ky hetim të vazhdojë të çohet përpara pa ndërhyrje të jashtme në mënyrë që t’u jepet përgjigje pyetjeve që shumë shqiptarë kanë për ngjarjet e 21 janarit dhe që të evitohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Duke i dorëzuar raportin e ekspertëve amerikanë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, ambasadori amerikan bëri me dije se raporti përpiluar nga ekspertët dhe këshilltarët e ICITAP-it shqyrton rrethanat e demonstratës së 21 janarit dhe merret në mënyrë specifike me përgatitjet e kryera nga Policia e Shtetit për demonstratat si dhe me qëndrimin e Policisë së Shtetit gjatë zhvillimit të demonstratës”.
Arvizu nënvizoi se “për mua është e qartë që Policia e Shtetit pati një plan operacional të mirëzhvilluar për t’u ballafaquar me një demonstratë që do organizohej, si dhe ata ekzekutuan planin operacional në mënyrë mëse të mirë”. Në këtë kontekst duke iu referuar raportit të ekspertëve amerikanë ambasadori amerikan tha se “Gjatë dhunës ekstreme të 21 janarit, Drejtori i Përgjithshëm, Burgaj, inicioi masa dhe procedura të jashtëzakonshme në mënyrë që t’i mundësohej Policisë që të mbante nën kontroll dhe të menaxhonte situatën sa më shumë që të ishte e mundur, duke pasur parasysh burimet e tyre shumë të kufizuara”.
“Punonjësit e Policisë gjatë demonstratës ishin në pjesën më të madhe të pambrojtur dhe disiplina dhe kurajoja që ata demonstruan duhet lëvduar. Ata qëndruan të palëvizur gjatë goditjes me objekte të forta, duke përfshirë gurë, shkopinj si dhe bombat molotov. Ata qëndruan përballë këtyre sulmeve duke iu bindur urdhrave, nuk i thyen radhët e tyre dhe as nuk u hakmorën kur u provokuan fizikisht”, deklaroi Arvizu.
Më tej ai informoi se “Policia e Shtetit vazhdon të mësojë dhe të zhvillojë plane operacionale për të menaxhuar sa më mirë që të jetë e mundur demonstrata, të cilat qëkur organizohen nuk janë paqësore, në mënyrë që të ruhet rendi dhe të respektohen të drejtat e njeriut. Duhet të jetë e garantuar e drejta për t’u mbledhur për të gjithë. Por nga ana tjetër edhe protestuesit kanë detyrimin që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe paqësore”, apeloi diplomati amerikan.
Në fund të fjalës së tij Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu garantoi bashkëpunimin në të ardhmen me Policinë e Shtetit.
Në mbyllje të takimit Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falenderoi Ambasadorin amerikan për raportin duke theksuar se: “Këtë raport do ta shikojmë dhe realizojmë me shumë përgjegjësi”, duke garantuar gjithashtu se “Policia e Shtetit do të jetë si gjithnjë në shërbim të qytetarëve dhe vetëm në zbatim të ligjit”.
mit/NOA