Shkup, 14 shkurt, NOA – “Ndërtimi i kishës në Kalanë e Shkupit është edhe një provokim në vazhdën e provokimeve të njëpasnjëshme të qeverisë VMRO-BDI ndaj shqiptarëve. Orientimet e këtilla strategjike të kësaj qeverie anti-shqiptare kanë për qëllim shtrembërimin e historisë në territoret e banuara me shqiptarë”.
Kështu citon deklarata e Bashkimit Demokratik Shqiptar në Maqedoni, lidhur me incidentet e ndodhura dje në Kalanë e Shkupit, ku mbetën të plagosur 8 plagosur.
“Të vetëdijshëm se shumica e shqiptarëve në Maqedoni janë të besimit mysliman, orientim i veçantë strategjik i kësaj qeverie të udhëhequr nga Gruevski, është koordinimi me strategjinë politike të komunistëve që kishin hartuar planet e dëbimit të shqiptarëve nga trojet e veta në Maqedoni.
[media id=123 width=600 height=440]
Lufta globale kundër fundamentalizmit islamik ka trimëruar Gruevskin dhe dekorin e tij qeveritar BDI-në, të ndërmarrë një fushatë të “pyllëzimit” të territoreve që ende kanë mbetur me shumicë shqiptare, me kisha ortodokse maqedonase”, citon më pas deklarata.
Duke shtuar se si rezultat i kësaj strategjie të kohës së kaluar dhe fatale për vetë shtetin e Maqedonisë, në Kala të Shkupit ndodhi përleshja në mes të shqiptarëve dhe grupeve ekstremiste maqedonase.
“Bashkimi Demokratik Shqiptar kërkon nga partia politike shqiptare në pushtet që mos lejojë që popullata e pafajshme të zgjedh gabimet trashanike politike dhe paaftësinë e saj kundrejt politikës denigruese të Gruevskit, por të vendoset vetë në mbrojtje të vlerave kombëtare shqiptare, ndërsa për popullin shqiptar të sigurojë një jetë më dinjitoze.
Bashkimi Demokratik Shqiptar kërkon nga shqiptarët që të ruajnë gjakftohtësinë në këtë situatë delikate për popullin tonë. Incidentet e këtilla u shërbejnë vetëm atyre të cilët shohin interesat e tyre personale deri sa populli mbytet në varfëri”, përfundon ajo.
n.e/NOA