Tiranë, 14 shkurt, NOA, Update – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar se zgjedhjet e datës 8 maj nuk do të ndryshojnë pavarësisht qëndrimeve të kreut të opozitës.
Ai theksoi se opozitës do t’i jepen të gjitha garancitë për zhvillimin normal të zgjedhjeve.
“Çdo ditë zoti Rama kupolës së tij i thotë se në nuk do të marrim pjesë në zgjedhje dhe ne do zvarrisim vendin si në 1997-n. Zgjedhjet do të bëhen në 8 maj dhe nuk do ketë forcë që do i zhvendosë ato. Opozita do ketë të gjitha hapësirat që duhet të ketë në një garë elektorale të një vendi të lirë”, tha kreu i qeverisë.
[media id=124 width=600 height=440]
Kryeministri ka theksuar se i ka dhënë garanci dhe zëvendësndihmës sekretarit Tom Kantryman.
“Në takimin tim me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit i cili në rastin më miqësor më ka shprehur gatishmërinë e qeverisë së tij në transparencën e këtyre zgjedhjeve. I thash se qeveria ime do i japë çdo kontribut që të duan. Ne nuk kemi asnjë qëllim tjetër veç transparencës. Janë të mirëpritur të monitorojnë në çdo qelizë këtë proçes. Ne qëndrojmë me çdo kusht dhe çdo çmim në respekt të Kushtetutës së këtij vendi”, tha Berisha.
a.k/NOA