Tiranë, 14 shkurt 2011, NOA – Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur sot nismën e deputetëve demokratë për heqjen e imunitetit, dhe hartimin e një projektvendimi për këtë çështje, i adaptuar sipas modelit të parlamentit të Republikës Federale të Gjermanisë. Por, duke mos dalë jashtë atmosferës së Shën Valentinit, e cila shënoi këtë fillimjavë për kryeministrin, zoti Berisha u uroi më parë deputetëve të tij këtë ditë të dashurisë.
“Së pari, zonja deputete dhe ju zotërinj deputetë, dua t’ju uroj gëzuar këtë ditë, ditë në të cilën njeriu nderon një nga virtytet e vlerat më të mëdha, më të fuqishme, më të rëndësishme të jetës së tij, dashurinë, forca e së cilës përbën një nga motivet më thelbësore të përpjekjeve fisnike dhe të arritjeve të njeriut. Kështu, le të urojmë këtë ditë për njëri-tjetrin, për të gjithë njerëzit tanë, për të gjithë qytetarët shqiptarë, të urojmë ditën e dashurisë. Zoti Patozi thotë se kjo ditë ka rastisur gjithnjë kur kemi mbledhjen e gripit parlamentar”, tha shefi i mazhorancës, një urim ky që shkaktoi ilaritet e të qeshura mes deputetëve.
Pas prezantimit të projektpropozimit për kufizimin e imunitetit të deputetëve, sipas modelit të parlamentit gjerman, Kryeministri Berisha u shpreh se këtë vendim të rëndësishëm kjo mazhorancë e merr në interesin më të mirë të demokracisë shqiptare, qeverisjes së përgjegjshme, dhe luftës kundër korrupsionit, e transparencës.
“Kjo përbën zhvillimin më pozitiv në reformat tona në luftën kundër korrupsionit, reforma të vazhduara”, tha Berisha.
Në këtë kontekst duke iu referuar luftës së hapur të akuzave ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, shefi i ekzekutivit theksoi se “Ne sërish japim shembullin dhe e bëjmë këtë, në një kohë kur kemi përballë një prokurori, që fle mbi qindra e qindra dosje të ish qeverisë së mëparshme dhe qeveritarëve vendor socialistë dhe ka hapur qindra çështje penale, ndaj qeverisë dhe administratës aktuale, për të cilat unë e falënderoj”, tha zoti Berisha.
Ai deklaroi se Prokuroria me njëanshmërinë e saj në hetimin e 21 janarit po i bën shërbimin më të keq zbatimit të ligjit, por edhe opozitës shqiptare.
Kryeministri argumentoi se “ne me këtë vendim heqim çdo lloj pengese burokratike dhe bëhemi të barabartë me çdo qytetar shqiptar, me secilin nga zgjedhësit tanë para ligjit dhe kjo është një arritje e madhe”.
Në vijim të fjalës së tij shefi i mazhorancës nënvizoi se “dokumentet ndërkombëtare faktojnë në mënyrën më të qartë dhe më të kristaltë se kjo mazhorancë, e mori Shqipërinë në një kohë kur renditej në 24 vendet më të korruptuara të planetit dhe bëri, që ajo të lërë prapa mbi 95 të tilla”.
Por duke folur për korrupsionin kryeministri Berisha ricilësoi akuzat për kryebashkiakun Rama kur në mënyrë të tërthortë tha se “Shqipëria renditet në 3 ose 4 vendet më të korruptuara të planetit me procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit”.
Duke iu referuar Bankës Botërore, kryeministri Berisha nënvizoi se është në Tiranë bajlozi i zi i korrupsionit.
“Këtu në Tiranë është dhe monumenti i korrupsionit dhe ky nuk është askush tjetër, veçse ai që bërtet nga mëngjesi deri në darkë, kusarët, kusarët, kusarët, paçka se i shet lejet e ndërtimit me 20% dhe qindra milion për një pallat, por dhe ndaj kësaj ne do të qëndrojmë”, akuzoi kryeministri.
Sipas tij 8 Maj, dita kur do të mbahen zgjedhjet vendore është dita në të cilën shqiptarët do të dinë të përgjigjen edhe ndaj këtij fenomeni duke mospranuar më tej ndëshkimin nga Kryetari i Bashkisë.
“Pse në Tiranë duhet 336 ditë për të marrë një lejë ndërtimi dhe kjo nuk është llogari e Sali Berishës, jo, është llogari e Doing Business, e Bankës Botërore, sepse kaq shumë duhet të piqet dhe stërpiqet, kaq shumë duhet të tundet dhe të shkundet ajo leje ndërtimi, që në procesin e alkimizmit të korrupsionit ajo bëhet platin, bëhet diamant për ata që e posedojnë, në procesin e alkimizmit të korrupsionit dhe përpunimit të saj, kjo leje duhet të zieje në kazan 336 ditë duhet të thahet dhe të trajtohet në të gjithë klinizmat në mënyrë që të mund të dalë dhe të japë jo më si dikur para 5-6 vjetësh me 3 apo 5 apartamente apo një kat, por tani për 35 kate te Liqeni duhen 6 kate dhe prandaj pallati bëhet me 35 kate, sepse 6 katëshi ishte me 20%”, sqaroi kryeministri.
Ai iu referua edhe akuzave të shefit të opozitës Edi Rama për privatizimin e 1280 aseteve publike, duke thënë se “Tani çirret dhe bërtet e për privatizimet. Do i njohim shqiptarët ne me platformën e tij për privatizimet, do jua faktojmë shqiptarëve se çfarë u ofron ky zotëri ky shok për privatizimet, e ka të gatshme matriksin e ka në sirtarë për pasuritë e tyre”.
Në fund të fjalës së tij kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për ta firmosur i pari deklaratën apo projektvendimin e mazhorancës për heqjen e imunitetit përballë hetimit për korrupsion pasiv dhe aktiv.
mit/NOA