English

Berisha në Shën Valentin, si gjysh u uron ditëlindjen mbesave

Tiranë, 14 shkurt 2011, NOA – Në ditën kur përshëndeti edhe projektvendimin e deputetëve të mazhorancës për heqjen vullnetare të imunitetit në rast të hetimit për korrupsion aktiv apo pasi i lënë jo rastësisht për ditën e Shën Valentinit, kryeministri Sali Berisha festoi edhe ditëlindjen e dy mbesave të tij, Amlës dhe Dalilës. Në një atmosferë festive që reflektohej dhe jashtë godinës së kryeministrisë çifti kryeministror festoi Shën Valentinin bashkë me ditëlindjen e mbesave.

Shefi i qeverisë bashkë me bashkëshorten, zonjën Liri Berisha, ishin bashkë me familjen për të festuar 7-vjetorin e Amlës, e cila erdhi në jetë në këtë ditë të shënuar të të dashuruarve.

Ndërkohë që edhe mbesa tjetër, Dalila, e cila pak ditë më parë mbushi 10 vjeç, kishte parapëlqyer që festën e ditëlindjes ta festonte bashkë me motrën më të vogël, Amla, pikërisht për Shën Valentin.

Në atmosferën e gëzueshme të festës dhe tingujve të përzgjedhur të muzikës nuk mungoi as torta tradicionale.

Dy mbesat e kryeministrit Amla dhe Dalila morën urimet më të bukura nga familja, mësuesit dhe shokët e shoqet, nxënës të klasës së parë dhe të katërt të shkollës Kosova, ku ato ndjekin mësimet.

Kryeministri Berisha, apo më thjesht gjyshi i tyre pati një përjetim të veçantë në këtë ditë të shënuar, ditë e cila pse jo e largoi disi nga angazhimet zyrtare për t’i kushtuar kohë këtij gëzimi familjar.

Kryeministri u uroi mbesave këtë ditë të shënuar për to, e cila, theksoi ai përkon edhe me një ditë të bukur që i dedikohet dashurisë, dashurisë për prindërit, dashurisë për shokët, dashurisë për njëri-tjetrin.

mit/NOA

KOMENTE