Tiranë, 14 shkurt 2011, NOA – Kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto gjatë analizës vjetore të MPJ-së deklaroi se prioritet madhor i politikës së jashtme është integrimi i vendit në BE. “Ne kemi intensifikuar marrëdhëniet me BE-në mbi bazën e një axhende programesh, planesh dhe kalendarësh veprimi të qarta. Këto marrëdhënie kanë kulmuar me liberalizimin e vizave në dhjetor të vitit të kaluar, një arritje kjo e merituar plotësisht si rezultat i punës së përkushtuar i të gjitha strukturave shtetërore dhe, natyrisht, Shërbimit të Jashtëm”, vlerësoi Ministri i Punëve të Jashtme.
Ai theksoi se intensifikimi i dialogut politik me BE-në i ka shërbyer ndërtimit të një bashkëpunimi shumëdimensional në përafrimin e politikave të vendit me qëndrimet e BE-së në kuadër të politikës së jashtme, si dhe politikës së mbrojtjes dhe sigurisë së përbashkët.
“Gjatë vitit 2010, Shqipëria u është bashkuar të gjithë qëndrimeve të BE-së në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme. Ndërkohë në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, jemi në proces negocimi të marrëveshjes kuadër Shqipëri-BE për pjesëmarrjen e vendit tonë në operacionet e menaxhimit të krizave të Unionit”, tha Haxhinasto.
Në këtë kontekst ai vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ngriti cilësisht rolin e vendit tonë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe përtej tij.
Sipas Haxhinastos objektivi tjetër madhor i politikës së jashtme për vendin mbetet çështja e konsolidimit të pavarësisë dhe i shtetit të ri të Kosovës.
“Viti 2010, gjatë të cilit u shpall vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe u zhvillua diskutimi në kuadër të Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ishte periudhë kyç për konsolidimin e pavarësisë së Republikës së Kosovës”, informoi Ministri Haxhinasto.
Ai theksoi se “Miratimi nga Asambleja e OKB-së e Rezolutës për Kosovën ishte një arritje edhe për për diplomacinë shqiptare. Diplomacia shqiptare vlerëson se është jo vetëm në interes të shqiptarëve, por edhe të stabilitetit dhe sigurisë rajonale, që Kosova të mund të integrohet sa mirë në proceset, organizatat dhe nismat e bashkëpunimit rajonal”.
Gjatë vitit 2010 tha ai janë nënshkruar 72 marrëveshje dhe janë përgatitur procedurat përkatëse nga Ministria e Punëve të Jashtme për miratim dhe ratifikim të 94 akteve ligjore në Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Sipas Haxhinastos objektiv madhor për vitin në vazhdim do të jetë rritja e efektshmërisë në politikën e jashtme dhe veçanërisht në aktivitetin diplomatik.
Në këtë kontekst ai tha se “duke rritur në mënyrë të vazhdueshme cilësinë profesionale të shërbimit të jashtëm, dhe një rol për këtë do të marrë Akademia Diplomatike e cila do të kthehet në një platformë të mendimit diplomatik, dhe një shkollë e vërtetë për seicilin diplomat, të ri apo me experiencë, veçanërisht në drejtim të diplomacisë ekonomike”.
“Politika e jashtme, si realizim i interesave kombëtare, janë një vepër e përbashkët e gjithë institucioneve të shtetit, e shoqërisë civile. Prandaj, MPJ do të hapë dyert e saj për kontributet e shoqërisë civile të angazhuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, për përpunimin e tezave e qëndrimeve të saj, veçanërisht në drejtim të analizave e prognozës”, nënvizoi Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto duke shtuar se “Ky volum i ri në ushtrimin e aktivitetit diplomatik, do ndikojë në rritjen e efikasitetit të politikës së jashtme, për ta çuar edhe me lart rolin e Shqipërisë si një faktor paqeje dhe stabiliteti”.
mit/NOA