English

Haxhinasto: Jo dhunë etnike në Maqedoni

Tiranë, 14 shkurt, NOA – Situata e krijuar në Maqedoni ka sjellë dhe reagimin e diplomacisë shqiptare. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ka theksuar se diversiteti në Maqedoni nuk duhet të shërbej si premisë për dhunë.

Deklarata e kreut të diplomacisë shqiptare u bë sot gjata takimit me ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Shqipëri, Vele Trpevski, me rastin e marrjes së detyrës së tij në Tiranë.

“Lidhur me zhvillimet e fundit në Shkup, ku u ndeshën përfaqësuesit e komuniteteve etnike më të mëdha në vend, Ministri, zoti Edmond Haxhinasto, u shpreh se diversiteti etnik, kulturor dhe fetar i Maqedonisë duhet të jenë një vlerë për vendin dhe, jo premisa për përplasje e për dhunë. Harmonia ndëretnike janë të rëndësishme për integritetin e Maqedonisë, si dhe për integrimin e saj në NATO e BE”, thuhet në njoftimin për media të Ministrisë së Jashtme.

Gjatë takimit është diskutuar dhe për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në rajon dhe proceset integruese ishin temat kryesore të takimit.

Ministri Haxhinasto, vlerësoi se niveli shumë i mire i marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe fqinjësinë së mirë mes të dy vendeve, i shërben njëkohësisht frymës progresive dhe stabilitetit në rajon, dhe në mënyrë të veçantë interesave të përbashkëta të integrimit Euro-Atlantik.

Ai rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, nënvizoi se ecuria e reformave në Maqedoni duhet t’i shërbejë proceseve integruese, duke theksuar njëherësh rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Ambasadori Trpevski, vlerësoi stadin aktual të bashkëpunimit mes të dy vendeve tona dhe, në veçanti, dialogun politik dhe shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë.

Gjatë takimit, palët theksuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, duke evidentuar nevojën e rritjes së shkëmbimeve tregtare; të ndërmarrjes të veprimeve konkretë për avancimin e projekteve e përbashkëta në infrastrukturë, energji, në kuadër të Korridorit 8 dhe projektit AMBO.

a.k/NOA

KOMENTE