English

Intelektualët - politikanëve: Po dëmtoni substancën e kombit

Prishtinë, 14 shkurt, NOA – Një grup intelektualësh shqiptarë kanë bërë një apel të fortë që nuk përfshin vetëm një emër apo një grup njerëzish, por gjithë klasën politike. Një mesazh që synon të jetë gjithpërshirës, dhe me të njëjtën kërkesë i drejtohet politikanëve në Tiranë, Shkup, Prishtinë dhe Mal të zi.

Deklarata kërkon gjetjen e dialogut për interesat e shqiptarëve në gjithë rajonin, “ndryshe, do të merrnim përsipër përgjegjësinë për mënyrën e lëndimit të substancës kombëtare në një shkallë të zhvillimit të shoqërisë, ku mundësitë për t’u konsoliduar politikisht si komb janë të mëdha”.

Më poshtë po botojmë deklaratën e plotë të intelektualeve nga Kosova dhe nga viset e tjera shqiptare.

DEKLARATË

E një grupi intelektualësh mbi rrjedhat politike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në viset e tjera shqiptare

Të shqetësuar thellë me rrjedhat politike në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni dhe hapësira të tjera shqiptare, ne, një grup intelektualësh, nëpërmjet të kësaj Deklarate, shprehim mendimin tonë rreth këtyre rrjedhave dhe apelojmë ndërgjegjen e politikanëve dhe partive politike në të cilat ata veprojnë, që të rreshtohen në anën e kauzës kombëtare, duke lënë anash interesat e ngushta personale, klanore e partiake.

Përderisa në Shqipëri kriza, jo vetëm politike, ka marrë përmasat e një gjendjeje të rëndë dhe me shumë pasoja, Kosova po jeton në një kohë tensionesh politike: të brendshme shqiptare, për shkak të mospajtimeve partiake; në veriun e saj, për shkak të instrumentalizimit nga Beogradi zyrtar të një pjese të popullatës serbe dhe të përpjekjeve për ta mbajtur të tensionuar gjendjen atje, me qëllim të ndarjes së Kosovës dhe të cenimit të pavarësisë dhe të sovranitetit të saj, tashmë të njohur ndërkombëtarisht.

Kosova njëkohësisht po ballafaqohet edhe me tensione sociale, të cilat vetëm sa mund t’i rrisin ato politike: shkalla shumë e lartë e papunësisë, përqindja shumë e lartë e të varfërve, nepotizmi dhe korrupsioni.

Pamjen e përgjithshme të rrjedhave politike me shqiptarët dhe përreth tyre, po e rëndojnë edhe raportet brenda partive politike shqiptare në Maqedoni. Të tendosura janë raportet midis partive shqiptare edhe në Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi, që dëmtojnë statusin dhe realizimin e të drejtave kombëtare të tyre. Gjuha e konfrontimeve nuk është gjuhë e marrëveshjes midis tyre.

Shqiptarët, kudo që jetojnë sot, të ndarë e të shpërndarë, janë duke ndjekur me ankth gjendjen në Shqipëri, të ndërgjegjshëm se nga zhvillimet politike atje do të varet shumë pozita e tyre jashtë kufijve të tashëm administrativë të saj. Shkaktarët e gjendjes së tashme në Shqipëri nuk mund të kërkohen dhe as të gjenden jashtë ngërçit politik, që për pasojë solli demonstratat e dhunshme të 21 janarit, me katër viktima, të cilat e vështirësuan mundësinë për të dialoguar daljen nga një gjendje tashmë kritike për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ngjarjet në seancën e fundit te Parlamentit vetëm sa konfirmuan se grushtet po bëhen “mënyrë komunikimi” i rivalëve politikë, të cilët do të duhej ta çonin vendin përpara. Drejtësia është para detyrës që të thotë të vërtetën për shumë çka.

Në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe të ligjit dhe përgjegjësinë historike të lidershipit shohim rrugëdalje nga situata me të cilën përballet sot kombi. Vetë shqiptarët duhet të marrin përsipër përpjekjet për një të ardhme europiane të vendit, duke pasur edhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë. Shqipëria, si pjesë e Europës së bashkuar, është para mundësisë që të përfshihet thellësisht në rrjedhat e qytetërimit perëndimor, si përcaktim gjithëkombëtar dhe që të mos humbet shansi.

Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet me shumë difekte dhe tash pas certifikimit të rezultateve po bëhen përpjekje për krijimin e koalicioneve të mundshme. Por, në këto përpjekje ka përplasje partiake, karrieriste brendapartiake, që nuk sigurojnë raporte korrekte dhe qeverisje me duar të pastra, të efektshme dhe të qëndrueshme. Këtu asnjëherë nuk kanë pasur më shumë njerëz të dijes dhe më të gatshëm që të ndihmojnë çështjen. Kosovën e presin procese të rëndësishme, nga të cilat mund të dalim të humbur, nëse do të na mungojë uniteti i brendshëm dhe lidershipi i përgjegjshëm. Kosovës i duhen politikanë që asaj i japin ide dhe i ofrojnë alternativa.

Ndër shqiptarët në Maqedoni mungojnë veprimet e përbashkëta të partive politike shqiptare për interesa të përbashkëta kombëtare. Atje ka përplasje midis tyre, mohime dhe kundërshtime deri në linçime politike. Në vend se bashkërisht t’i kundërvihen përpjekjeve të pushtetit sllavo-maqedonas për të nëpërkëmbur identitetin dhe të drejtat e tyre, shqiptarët atje vazhdojnë të merren me veten dhe me njëri-tjetrin.

Gati kështu ndodhë edhe ndër shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi, ku interesat individuale vihen mbi ato kombëtare.

Të shqetësuar thellë me këtë gjendje, ne, një grup intelektualësh thërrasim arsyen e gjithsecilit faktor shqiptar që të ndihmojë në kapërcimin e gjendjes me një dialog tolerant dhe të pranueshëm për të gjitha palët, duke përfshirë edhe kompromiset e arsyeshme. Ndryshe, do të merrnim përsipër përgjegjësinë për mënyrën e lëndimit të substancës kombëtare në një shkallë të zhvillimit të shoqërisë, ku mundësitë për t’u konsoliduar politikisht si komb janë të mëdha.

Populli shqiptar ka identitet, dinjitet dhe moral të dëshmuar historikisht, që në këtë moment historik të konsolidimit të tij po rrezikohet nga interesa të ngushta të individëve.

Proceset mund të degjenerohen nëse nuk përparojnë. Druajmë se do të vijnë kohët kur “nuk do të ketë më kohë” për ndërmarrjen e veprimeve racionale në interes të popullit dhe të kombit. Druajmë se është dëmtuar dhe se po vazhdon të dëmtohet imazhi i shqiptarëve, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, në Maqedoni apo troje të tjera ku jetojnë ata. Luftimi me vendosmëri i korrupsionit, i krimit të organizuar dhe forcimi i përgjegjësisë shtetndërtuese bëjnë çelësin e daljes nga kjo situatë shqetësuese.

Shqiptarët janë të ndërgjegjshëm për kontributin e aleatëve ndërkombëtarë, veçanërisht në Kosovë, dhe janë falënderues, prandaj e presin ndihmën e tyre edhe në këtë kohë vendimtare.

Të shpresojmë e punojmë që të kapim perspektivën dhe të hapërojmë bashkë me qytetërimin evropian e botëror drejt të ardhmes.

Nënshkruesit e Deklaratës:

Mark Krasniqi, akademik,

Prof.Dr. Jusuf Bajraktari, historian

Pajazit Nushi, akademik,

Vehap Shita, shkrimtar

Ramiz Kelmendi, shkrimtar

Minir Dushio, akademik,

Esat Stavileci, akademik,

Prof. Dr. Mazllum Baraliu, jurist

Prof. Dr. Skender Rizaj, historian

Ibrahim Kadriu, shkrimtar,

Prof.Dr. Fehmi Rexhepi, historian,

Violeta Nushi, arkitekte

Prof. Dr. Jahja Drançolli, historian

Prof.Dr. Muhamet Shatri, historian,

Nehat Islami, gazetar

Prof. Dr. Skender Kaçiu, bujqësi e veterinari,

Prof. Dr. Frashër Demaj, historian,

Xhafer Shatri, publicist,

Prof. Dr. Xheladin Shala, historian,

Zenun Çelaj, gazetar,

Prof.Dr. Mehmat Halimi, albanolog

Dr. Vexhahet Gacaferri,

Dr. Mejremi Maloku, mjeke

Destan Rukiqi, avokat

Nafije Latifi, gazetare,

Prof.Dr. Agni Aliu,

Prof. Dr. Ramiz Abdyli, historian,

Prof. Dr. Zymer Neziri, albanolog,

Prof. Dr. Jusuf Osmani, historian,

Engjell Berisha, akademik,

Ibrahim Osmani, politolog

Binak Kelmendi, shkrimtar e publicist,

Mehmet Gjata, gazetar

Mr. Gani Mulliqi, diplomat,

Jusuf Fetahi, pensionist.

KOMENTE