Tiranë, 14 Shkurt 2011, NOA- Mary Celeste ishte një nga anijet me vela ndërtuar në Kanada në rajonin e njohur si “Nova Scozia”. Ajo u ndërtua në vitin 1860 dhe emri i saj origjinal është "Amazon". Anija ishte 31 metra e gjatë dhe me një kapacitet prej 280 ton.
Anija kishte kaluar një jetë pak 'trazuar”, kishte qenë viktimë e disa aksidenteve edhe pas kalimit në duart e disa pronarëve. Kapiteni i saj i parë vdiq nga pneumonia. Kapiteni i dytë gjatë lundrimit inaugurues bëri një gabim duke kaluar shumë afër një kanali artificial për peshkim duke e dëmtuar atë. Gjatë restaurimit një zjarr shpërtheu në bord. Anija transferohet te një pronar i tretë, pastaj shkon në Londër dhe më pas në Paris. Në Dover ajo përplaset përsëri. Riparohet dhe rikthehet në Kanada me një kapiten të katërt. Në 1867, ngeci në rërë dhe u shit përsëri. Pronari i ri e vuri përsëri në rrugën e duhur për ta shitur atë.
Pas 12 muajsh Amazon ndryshon emrin dhe kombësinë, duke e bërë “Mary Celeste” amerikane. Benjamin Briggs, 37 vjeç, e bleu atë në ankand për 3000 dollarë dhe e quajti "Mary Celeste". Këtu fillon historia e një prej mistereve më të mëdha që detet kanë parë ndonjëherë. Më 7 nëntor 1872 anija ka nisur lundrimin me emrin e ri e me një ngarkesë prej 1700 fuçi me alkool etilik nga porti i Nju Jork për në Gjenova. Në bord ishin: kapiteni, gruan e tij Sara, 30 vjeçe, me vajzën e tyre Sofia 2 vjeçe, dhe një ekuipazh prej shtatë vetësh: zyrtari i parë i anijes Albert Richardson (28 vjeç), zyrtari i dytë Andrew Gillings (25 vjeç), kuzhinieri dhe kamerieri Edward Head (23 vjeç), marinari gjerman Volkert Lorenzen (29 vjeç), vëllai i tij Boz Lorenzen (23 vjeç ), Arian Martens (35 vjeç) dhe Gottlieb Goodshaad (23 vjeç). Anija kishte në bord 1.700 fuçi me alkool etilik dhe destinacioni i saj ishte Gjenova. Ajo ishte dita e fundit kur ato janë parë. Anija u gjet një muaj më vonë nga një tjetër anije në ngushticën e Gjibraltarit, por në bord nuk u gjet as edhe hija e një njeriu, nuk kishte asnjë shenjë të një aksidenti, asnjë dëm, vetëm një velë e shqyer dhe 9 prej 1700 fuçive bosh.
Kur Davidi Reed Morehouse, kapiteni i anijes Dei Gratia, pa Mary Celeste me teleskopin e tij, menjëherë vuri re diçka shumë të çuditshme: dukej se askush nuk e drejtonte atë, kuverta ishte bosh dhe në timon askush.
Ai urdhëroi disa nga njerëzit e tij për të shkuar në anije dhe zbulon se anija ishte bosh. Ata ndjenë nervozizëm. Askush nuk ishte. Asgjë nuk ishte prekur. Ngarkesa ishte e paprekur. Nuk kishte asnjë varkë shpëtimi. Në një parapet u gjet shenja e një prerje, ndoshta si pasojë e goditjes nga një sëpatë. U gjetën dhe dy njolla të kuqe që më pas rezultuan se ishin verë. Në tryezën e kabinës së zyrtarit të parë ishte një hartë detare që tregonte vendndodhjen e anijes deri më 24 nëntor. Sendet personale të pasagjerëve ishin në vend. Paratë dhe pipat e duhanit nuk ishin marrë. Llulla dhe duhani ishin artikuj që mund të braktiseshin, përveç në rastin e një paniku absolut ... apo një rrëmbimi rrufe. Në kabinën e kapitenit ishin çizmet e tij dhe mushamaja që vishej nëse moti ishte i keq. Shtrati ishte i parregulluar dhe sipër disa lodra të vajzës. U gjetën dhe bizhuteritë e gruas. Mungonte këndmatësi, matësi i shpejtësisë dhe disa skema të tjera nautike. Një fletë me disa kalkulime ishte në tryezë. Një shishe ilaçi ishte e hapur, me kapakun dhe lugën pranë, sikur personi që do e pinte i kishte lënë të gjitha përnjëherë. Letra të tjera nautike ishin aty. Ditari i kapitenit ishte ende atje: shënim i fundit shkonte deri në mëngjesin e 25 nëntorit dhe deklaronte se anija kishte shkuar gjashtë milje larg bregut të Santa Maria në Azzorre. Asnjë koment anormal, asgjë të çuditshme. Kapiteni i Dei Gratia ishte i shushatur.
Pse ishte braktisur anija kaq papritmas? Moti i keq? Kjo nuk dukej e mundshme, duke marrë parasysh se mushamaja ishte ende në kabinën e kapitenit. Cila fuqi e frikshme i kishte detyruar ata të iknin nga anija? E lanë vullnetarisht apo i hoqën me forcë? Ekuipazhi i Dei Gratia solli Mary Celeste deri në Gjibraltar. Në vend të lavdëroheshin ata u akuzuan.
Frederick Solly Flood, avokat dhe hetues që u mor me këtë çështje akuzoi Morehouse se kishte sulmuar Mary Celeste duke bërë sikur e gjeti për tu bërë më pas pronari i tij (në përputhje me ligjet e kohës).
Ndërkohë, filluan kërkimet në të gjitha portet më të afërta për të gjetur ndonjë të mbijetuar, por pa dobi. U shtruan konsultime me meteorologë, zoologjistë dhe kriminologë, ku secili dha shpjegimin e tij. U supozua se ekuipazhi ishte dehur dhe kishte vrarë kapitenin dhe gruan e tij. Historia u përgënjeshtrua: alkooli etilik është helmues. Dhe pastaj, nëse ishte një kryengritje, pse rebelët kishin braktisur anijen dhe ngarkesën? Detarë ishin të gjithë burra shumë të respektuar dhe një udhëtim kaq i shkurtër nuk mund të justifikonte një protestë.
Një tjetër teori: Mary Celeste u përpoq të shpëtonte një anije në flakë dhe u dogjën te gjithë bashkë. Problemi është se në të dhënat e asaj periudhe, përveç Mary Celeste, nuk rezultoi ndonjë anije tjetër e zhdukur në këtë zonë. Një sulm nga piratët nuk dukej i mundshëm, duke pasur parasysh se episodi i fundit daton në 1832 dhe ngarkesa e anijes ishte e paprekur.
Ndërsa supozimet më të çuditshme lidheshin me faktin se ndonjë kallamar gjigant kishte gllabëruar gjithë ekuipazhin ose bëhej fjalë për një rrëmbim alien. Shpjegimi më i besueshëm është për shkak të një eksplozioni të fuçive me alkool që për shkak të përbërësve kimikë mund të mos lerë asnjë gjurmë djegie: fuçitë e alkoolit kanë lëshuar avuj që bëhen vdekjeprurës me shkëndijën e parë që vjen. Trembur nga një tjetër shpërthim, kapiteni ka ulur varkën e shpëtimit në det dhe e ka lidhur me një litar me anijen duke mbajtur një distancë të sigurte. Moti i keq ka triumfuar dhe ka këputur litarin. Është e lehtë të imagjinohet fati i varkës në mëshirën e Atlantikut në një stuhi. Duke supozuar se ata mund ti kenë mbijetuar stuhisë, nuk kanë mundur ti bëjnë ballë në ditët në vijim mungesës së ujit. Por nuk ka pasur shenja të dukshme të një shpërthimi, nuk ka pasur asnjë shenjë djegie. Ajo që thuhet është se alkooli djeg pa lënë blozë dhe shpesh djegiet në mënyrë të shpejtë nuk lënë shenjë. Gjyqi përfundoi me lirimin e ekuipazhit Gratia Dei,
Pas gjyqit, Mary Celeste vazhdoi të lundrojë për 12 vjet duke ndryshuar 17 pronarë. Në një nga udhëtimet ajo e gjeti veten duke transportuar kuaj dhe gomarë. Kafshët vdiqën misteriozisht para se anija të arrijë në destinacionin e vet. Në 1884 ajo ra në duart e Gilman Parker i cili pandershmërisht kishte regjistruar një ngarkesë të vogël me një çmim shumë më të lartë. Anija u mbyt pranë Haitit. Gjithçka zbulohet në vitin 2001. Parker dhe bashkëpunëtorët e tij patën një fund të trishtuar: Parker vdiq në varfëri, një nga dy marinarët përfundoi në një spital psikiatrik dhe i treti bëri vetëvrasje.
Por ende askush nuk e di se cili ishte fati i vërtetë i ekuipazhit të Maria Çelestes më 1872 dhe anija mbahet mend ende si anija fantazmë.
a.e./NOA