Tiranë, 14 shkurt 2011, NOA Update – Ish-zëvendëskryeministri dhe Ministri i dorëhequr i Ekonomisë Ilir Meta për shkak të publikimit të video-përgjimit Meta-Prifti ka dalë sot përballë Këshillit të Rregullores dhe Mandateve dhe rishtas e ka cilësuar videon e transmetuar si një montazh të shëmtuar. Duke hedhur akuza ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, zoti Meta deklaroi se organi i akuzës nuk ka vullnet serioz për hetimin e videos në fjalë, pasi ajo po heton në bazë të asaj ç’ka është transmetuar në emisionin Fiks Fare. Përmes një analize të bërë nga një ekspert i njohur italian Dr. Ing. Antonio Federico, i cili brenda 2-3 ditësh sikundër tha Meta ka bërë një analizë shumë të qartë tekniko-shkencore të gjithë materialit, ish-zëvendëskryeministri deklaroi se nga pikëpamja e kohës televizive gati më shumë se 1/3 e gjithë kohës është një manipulim i qartë nga ana teknike, pasi sikundër theksoi Meta janë heqje, janë vënie, janë mbivendosje të cilat kanë dalë nga gjithë analiza që është bërë në bazë të teknologjisë më të avancuar të kohës.
Duke shprehur gatishmërinë e tij për lënien e imunitetit dhe zbardhjen sa më parë të kësaj çështjeje, zoti Meta theksoi se Prokuroria e Përgjithshme po bën një lojë të pastër me qëllime politike.
Më tej mund të lexoni deklaratën e plotë të ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve.
Mendoj që është një seancë e vonuar, pavarësisht që nuk është faji i Parlamentit, për arsye se që në momentin që është shfaqur një video përgjim, për personin tim, unë menjëherë kam deklaruar në mënyrë vullnetarë lënien e imunitetit. Më pas kam kërkuar që Prokuroria të hetojë mbi këtë çështje dhe po kështu kam shkuar vetë në Prokurorinë e Përgjithshme për të deponuar vetë mbi këtë montazh të pastër televiziv të bërë për qëllime të pastra politike.
Jo thjesht për të goditur figurën e një deputeti apo të një Zv. Kryeministri apo thjesht qeverisë por sikurse u shoqërua edhe nga ngjarjet e dhunshme të 21 janarit të cilat ende vazhdojnë për të justifikuar një aksion të dhunshëm kundër qeverisë me pretekstin e luftës kundër korrupsionit ku sipas të gjithë frymëzuesve, sipas manipulatorëve, edhe të këtij video-përgjimi Zv. Kryeministri ishte duke kërkuar favore në këmbim të 700 mijë eurove e përrallave të tjera si këto. Që në fillim kam deklaruar se është një montazh megjithatë iu kam dërguar juve një letër dhe i kam bërë të gjithë opinionit publik dhe Prokurorisë që jam i gatshëm të bashkëpunoj menjëherë për zbardhjen e kësaj çështjeje. Një ditë më pas u pranua që një pjesë e videos ishte montazh për të përfshirë në këtë çështje edhe Kryeministrin Berisha.
Më pas u detyruan për shkak se nuk kishin rregulluar time-kodin, siç e kanë rregulluar në pjesët e tjera të cilat kanë dalë tashmë evidente u detyruan ta pranojnë që kjo pjesë ishte montazh por jo pjesa tjetër. Dhe lideri i opozitës dha garanci se kjo nuk ishte një montazh por diçka e vërtetë dhe e tmerrshme. Unë kam qenë në prokurori, kam deponuar me vullnet të plotë, kam kërkuar përshpejtimin e këtij procesi. Në Prokurori më kanë thënë që ata e kanë të vështirë, pavarësisht nga vullneti, që të procedojnë për hetimin tim pa hequr imunitetin zyrtarisht nga Kuvendi. Dhe unë u kam thënë që për mua është në interesin tim dhe të gjithë opinionit publik që këtë gjë ta mbyllë sa më shpejt sepse mbi bazën e kësaj videoje u vranë njerëz.
Mbi bazën e kësaj videoje u ndërtua një skenar i tërë dhune dhe përgjakje që jo vetëm solli viktima por edhe tronditi imazhin e vendit në botë. Them se kjo është një mbledhje me një muaj me vonesë për shkak të argumentimeve që ka sjellë Prokuroria e Përgjithshme. Kjo sepse Prokurorja e Përgjithshme në letrën drejtuar për ju bazohet vetëm në emisionin Fiks-Fare pra në atë që është transmetuar pa bërë asnjë ekspertizë të vërtetësisë, të saktësisë, të bisedës, të zërave, të shifrave dhe shumë gjërave të tjera të asaj që është apo nuk është një montim televiziv dhe sigurisht edhe në deklaratat e z. Prifti i cili njihet për deklaratat “ serioze” që bën vazhdimisht. Natyrisht që unë jam i zhgënjyer, jo se është kërkuar heqja e imunitetit se e kam kërkuar vetë dhe e kam kërkuar me kohë unë dhe LSI që deputetët s’kanë pse të kenë imunitet, por jam i zhgënjyer sepse kërkesa duhet të ishte ndryshe, znj. Kryetare, duhet të ishte me bazë edhe të kërkesës së tij, me bazë edhe të akuzave që janë bërë nga ish ministri, të fillojë këtë proces. Por të bësh një kërkesë të tillë e cila praktikisht nuk sjell asnjë gjë të re për ju, për Kuvendin, për opinionin publik dhe këtë gjë ta bësh në më shumë se një muaj vonesë, kjo nuk është gjë tjetër veçse mungesë serioziteti për zbardhjen e kësaj çështjeje dhe e këtij skandali. Dhe së dyti është në traditën e çështjeve që ngriheshin mbi bazën e nenit 55 për agjitacion dhe propagandë.
Unë kam shpresuar se Prokuroria do të sillte prova, për cilindo rast, për fajësinë e Ilir Metës dhe përgjegjësitë ligjore që ai duhet të mbajë para ligjit para shtetit, para opinionit publik, apo për fajësinë e atyre që kanë bërë një montazh i cili solli një gjakderdhje në këtë vend. Kjo gjë nuk ekziston sepse po të shikoni ju relacionin që ka ardhur këtu, thuhet që objekti i çështjes pra i çështjes që është lidhur kontrata me ekspertin në fjalë, ka të bëjë pikërisht me atë nëse video është prodhuar në funksionet regjistruese të orës e më pas është transferuar në lap-topin e tij etj. Dhe po të shohim se çfarë kthehet më pas nga eksperti, pikërisht në faqen 13 sipas relacionit të Prokurorisë, eksperti fillon analizimin e kamerës së orës , pasi kishte parë USB-në dhe kompjuterin.
“Ndërsa aksesova memorien e brendshme të aparatit konstatova se në aparat kishte qenë një video, e cila më pas ishte fshirë, të cilën unë isha në gjendje ta gjurmoja dhe më pas keni më poshtë informacionin mbi këtë dosje etj. Unë iu referova mbi këtë video, dhe pashë më pas përmbajtjen, materiali është një tjetër video, pra jo ajo që është parë në emisionet Fiks-Fare dhe “Top Story” ndërmjet dy burrave që flasin me njëri tjetrin por që këtë radhë janë në një vend tjetër. Gjatë kërkimeve të mia konstatova që mjeti, pra ora kishte qenë në shitje në një faqe interneti”.
Tani lidhur me vlerësimet që jep eksperti të cili i është drejtuar Prokuroria, dhe për të cilin unë nuk kam asnjë vërejtje por kam vërejtje për mënyrën se si ka proceduar Prokuroria jonë për një çështje shumë sensitive për opinionin publik, por edhe atë ndërkombëtar, thuhet pra se këta janë dy persona të patjetërsuar, dhe gabimi këtu është 0%. Unë asnjë herë nuk kam mohuar, që kur ka dalë kjo video që ai që ka qenë në video nuk ka qenë Ilir Meta. As përgjuesi im nuk ka thënë që ai ka qenë ai që ka qenë. Dhe unë vetë në Prokurori kur kam vajtur para se ajo të kërkonte këtë ekspertizë kam deklaruar që kam qenë unë, përkundrazi nuk kam pasur asgjë për të fshehur dhe i kam thënë që ai është një montazh i mirëfilltë televiziv.
Tani kjo thotë që gabimi është 0%, për atë që është apo nuk është Ilir Meta. Megjithatë unë nuk ka vërejtje për këtë gjë por çështja parësore e opinionit publik, çështja parësore e drejtësisë, çështja parësore e atyre që kanë bërë manipulimin ka të bëjë me vërtetësinë e bisedës dhe autenticitetin e zërave dhe të përmbajtjes të transkriptuar me titra poshtë. Kjo është një çudi e paparë që një njeri që flet në gjuhën shqipe përkthehet poshtë në gjuhën shqipe. Unë e kam thënë dhe po e ripërsëris se kjo është një gjë tepër e panatyrshme për dy arsye. E para sepse unë nuk do shkoja tek një ministër i partisë sime, i qeverisë sime, te një anëtar i Kryesisë së kësaj partie dhe të flisja me zë të ulët sepse nuk mund ta dija që më përgjonte. E dyta që besoj e dini dhe ju znj. kryetare, e dinë dhe të tjerë, ky njeri që më ka përgjuar mua ka probleme me përgjimin për shkak të një operacioni të vështirë që ka pasur, dhe si rezultat i këtij operacioni ka humbur dëgjimin pothuajse krejtësisht nga njëri vesh.
Sa herë që duhej të flisje me të për këtë arsye njerëzorë, ishe i detyruar të ngrije zërin dhe jo ta ulje zërin. Prandaj edhe eksperti është në këtë gjendje ndërkohë kur problemi kryesor mbi këtë çështje, problemi audio thotë që unë nuk isha në gjendje të pastroja segmentin audio të videos me pajisjet që pata në dispozicion. Kjo do të thotë që ai nuk ka qenë në gjendje të gjykonte, të vlerësonte, të shqyrtonte zërin dhe bisedën e bërë. Pra kush është problemi im me Prokurorinë si qytetar i këtij vendi, jo thjesht si politikan? Problemi është se Prokuroria e ka nisur këtë çështje mbi bazën e emisionit Fiks-Fare. Ajo duhet t’i bënte pyetje ekspertit jo thjesht se kjo video a është prodhuar nga funksionet regjistruese të një ore sepse kjo nuk ka asnjë rëndësi, por duhet t’i kërkonte që të bënte një ekzaminim të bisedës së bërë në Fiks-Fare dhe njëkohësisht edhe materialeve origjinale që mund të kishte personi në fjalë. Pra nuk është bërë një kërkesë e tillë. Nuk ka një përgjigje të tillë. Përkundrazi përgjigja është se nuk mund ta pastroja segmentin audio dhe nuk mund ta shqyrtoja, nuk mund ta gjykoja. Kjo është e tmerrshme sepse ka më shumë se një muaj që kjo gjë ka ndodhur. Sepse po bëhet gati një muaj që janë vrarë 4 veta, për të luftuar korrupsionin e Ilir Metës, për të luftuar Ilir Metën që donte t’i merrte 700 mijë euro Dritan Priftit, e përralla të tilla. Për të luftuar imazhin e kësaj qeverie, e kësaj mazhorance për të nxitur atë dhunë që ju keni parë në bulevard.
Dhe është e çuditshme se si është bërë më shumë se një muaj dhe nuk arrihet dot të bëhet një ekspertizë kaq e thjeshtë. Tani, duke përfunduar me këtë pjesë, pra me pjesën e kërkesës që ka bërë Prokuroria, duke qenë konsekuent me atë letër që unë iu kam dërguar juve para një muaji për heqjen e imunitetit jam shumë dakord që të hiqet imunitetit që tani dhe duhet të ishte hequr me kohë. Madje, duhet të hiqet një herë e mirë për të gjithë deputetët, por unë po u them ju se gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi bërë gjithçka që të bashkëpunojmë me Prokurorinë që të çojmë përpara këtë proces, në interes të zbatimit të ligjit, në respekt të ligjit, por edhe për përgjegjësinë ndaj ligjit për cilindo që e ka shkelur atë apo e ka cenuar atë dhe për të rritur besimin e drejtësisë në këtë vend. Që drejtësia një skandal e merr dhe personin përgjegjës për shkeljen e ligjit, për një aferë, që quhet Ilir Meta e që paska kërkuar 700 mijë euro e merr dhe e çon burg. Ose për ata që kanë manipuluar merren përgjegjësi penale.
Sepse jo thjesht kanë bërë një lojë politike, por sepse janë përpjekur që përmes një manipulimi skandaloz të sjellin ato pasoja që janë edhe sot e kësaj dite. Të sjellin edhe ato shfaqje dhune që pamë në parlament vetëm pak ditë më parë. Në këtë kuadër unë e kam marrë shumë seriozisht këtë çështje se nuk bëhet fjala për Ilir Metën, absolutisht. Dinjiteti im nuk përcaktohet nga ato që thonë shokët dhe shoqet e bulevardit, këtë e kam të huazuar, por është shumë e përshtatshme në këtë rast. Por kjo është shumë e rëndësishme për ligjin në këtë vend, për drejtësinë në këtë vend, për autoritetin e Prokurorisë, për autoritetin kuvendit, për autoritetin e kujtdo. Ne kemi bërë disa analiza mbi bazë të një materiali të transmetuar në “Fiks Fare”, “Top Story” dhe “Vizion Plus”, sepse kanë dallime të mëdha, të cilat konfirmojnë manipulimin dhe montimin total të këtij përgjimi që i është ofruar opinionit publik.
Duke vënë re, sikurse denoncuam edhe përpara një jave së bashku me avokatët, tendencat për të zvarritur këtë proces, për të mos i dhënë një përgjigje opinionit është a nuk është një montim televiziv ajo që ata kanë parë në emisionin “Fiks Fare”, në “Top Story” apo kudo qoftë. Dhe ka apo s’ka përgjegjësi Ilir Meta apo cilido qoftë. Ne ditët e fundit, i kërkuam përveç shumë analizave të tjera teknike shkencore prestigjioze të besueshme të certifikuara nga organet gjyqësore i kërkuam për një ekspertizë akoma më të thellë më të imët teknike dhe shkencore, audio në mënyrë të veçantë, sepse këtu është problemi, sepse nuk është diskutuar ndonjëherë nëse atje është Ilir Meta dhe nëse atje është personi tjetër, i kërkuam një ndër ekspertëve më të njohur në Itali, Dr. Ing. Antonio Federico, i cili brenda 2-3 ditësh ka bërë një analizë shumë të qartë tekniko-shkencore të gjithë materialit filmik bazuar mbi pyetjet e avokatëve të mi. Ai është presidenti i Komitetit Shkencor të Fondacionit për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe e gjithë CV-ja e tij është për aktivitetin e modelimit matematiko-statistikor dhe e përpunimit të sinjaleve audio dhe video. Është projektues i sistemit të shpejtë të zbatuar nga Fondacioni Kordoni në fjalë për njohjen e folësit dhe për përpunimin statistikor të të dhënave biometrike dhe modelueses të sistemeve. Është prej gati 30 vjetësh konsulent i Fondacionit Hugo Kordoni për statistikën matematike të aplikuar në gjithësinë tonë kompjuterike. Autor i publikimeve në sektorin e njohjes së folësit, njohjen e modelit dhe të përpunimit të sinjaleve audio dhe akustike, dhe është nj CV shumë e gjatë e personit në fjalë.
Njëkohësisht ai është një ndër ekspertët më të njohur jo vetëm në Itali por edhe në Europë, i cili ka bërë një numër të madh ekspertimesh fonike për llogari të organeve të gjykatës dhe prokurorisë italiane. Ndër më të rëndësishmet janë ekspertimi fonik në procesin nga më të rëndësishmit në Itali, që ishte rrëmbimi dhe vrasjen e ish-kryetarit të Partisë Demokristiane, Aldo Moro. Ekspertimi fonik i një prej çështjeve nga më tragjiket që ka bërë bujë në Itali, që njihet ndryshe si çështja “Acustica”, ku si rezultat i përplasjes së dy avionëve humbën jetën me dhjetëra pasagjerë, i shumë çështjeve të tjera, i një përgjimi fonik që i është bërë Kryeministrit aktual të Italisë e kështu me radhë.
Unë për respekt ndaj kuvendit i cili ka përgjegjësinë e tij për përgjegjësitë që ka ose nuk ka një deputet, do t’ua jap edhe juve në origjinalin e saj në italisht të nënshkruar në çdo faqe me gjithë analizat teknike, shkencore, diagramat e zërit dhe gjithçka tjetër ka bërë ky ekspert shumë i njohur. Por më duhet t’ju them paraprakisht , meqenëse këtu nuk kishim një material mbi të cilin të bazohej procedimi penal, do t’ju them dhe unë se paraprakisht disa nga këto konkluzione në mënyrë që edhe ju të keni një informacion, që natyrisht nuk dua që kurrsesi të ndikojë në ndonjë vendim tjetër përveç heqjes së imunitetit tim të menjëhershëm.
Relacion paraprak, rezultate të analizës paraprake të sinjalit video të zërit. Në sekondën e 11-të ka ndërprerje, ndërrim skene dhe futje e siglës muzikore. Në minutën 1 e 33 sekonda, ndërprerje, ndërrim skene dhe ndërrim i sinjalit audio, në minutën 3 e 7 sekonda ka ndërprerje e ndërrim skene. Në minutën 3 e 3 sekonda ka filmim, përsëritje. Skena e mëparshme rezulton e përsëritur dhe e mbivendosur për katër sekonda. Në minutën 3 e 18 sekonda, ndërprerje prej tre sekondash, ndërrim i skenës i pajustifikuar shumë i shkurtër. Në minutën 3 e 53 sekonda ndërprerje, ndërrim skene. Në minutën 3 e 47 sekonda ka filmim, përsëritje. Skena e përsëritur është e mbivendosur për 6 sekonda. Në minutën e 4 e 15 sekonda, ndërprerje prej 4 sekondash, ndërrim skene i pajustifikuar shumë i shkurtër. Në minutën 4 e 58 sekonda, ndërprerje, ndërrim skene. Në minutën 4 e 54 sekonda, filmim përsëritje, skena e përsëritur është e mbivendosur për 4 sekonda. Në minutën 5 e 9 sekonda, ndërprerje prej 42 sekondash, ndërrim skenë. Në minutën 7 e 37 sekonda, ndërprerje prej 18 sekondash, ndërrim skene. Në minutën 8 e 7 sekonda, ndërprerje prej 52 sekondash, ndërrim skene. Në minutën 9 e 19 sekonda ndërprerje prej 1 minutë e 25 sekondash, ndërrim skene. 11 minuta e 0.1 fundi i regjistrimit të dy bashkëbiseduesit dalin nga skena.
Pra, në pikëpamje të kohës televizive gati më shumë se 1/3 e gjithë kohës është një manipulim i qartë nga ana teknike. Janë heqje, janë vënie, janë mbivendosje të cilat kanë dalë nga gjithë analiza që është bërë në bazë të teknologjisë më të avancuar të kohës. Lidhur me çështjet e tjera, sepse kuptohet këti nuk kemi të bëjëm vetëm me dy reshta, këtu është një punë shkencore prej 25 faqesh ku analizohet gjithçka. Analizohet në mënyrë të veçantë edhe skena ku Meta ka thënë se Gimi më ka thënë mua që nga ana ime ke deri në 700 dhe kjo nuk dëgjohet dhe nuk ekziston edhe sipas konkluzioneve përfundimtare. Asnjë nuk e ka dëgjuar këtë gjë, përveç atyre që kanë vënë titrat me qëllim që t’u imponojnë qytetarëve shqiptarë një gjë të pavërtetë dhe shumë e shumë analiza e çështje të tjera të cilat tregojnë në mnëyrë flagrante të gjitha ndërprerjet, të gjitha manipulimet që i janë bërë zërave, bisedës zhurmat ë ajnë vendosur e kështu me radhë. Për të ardhur në fund fare te konkluzionet e përgjithshme të këtij eksperti, i cili thotë se ekzaminimet instrumentale të kryera të lejojnë që për momentin të konfirmosh se sinjali audio dhe sinjali video të regjistruar nga një a më shumë mikropërgjues kanë pësuar kalime rihedhje, ngjeshje, prerje e mbivendosje, dhe sipas gjasash edhe procedura të ndryshme.
Në vijim për të konfirmuar më tej duhet të paraqitet origjinali. Materiali është i manipuluar dhe i ndryshuar. Me besim Ing. Antonio Federico, i nënshkruar në Romë më 12 shkurt 2011. Unë lexova disa nga pjesët kryesore të analizës të cilën ju do ta keni të plotë dhe natyrisht ne do t’ia japim këtë edhe Prokurorisë ta ndihmojmë meqenëse ajo nuk është në gjendje të sjellë një analizë të fakteve të vërtetësisë. Natyrisht që menjëherë ne do të kërojmë materialet origjinale nëse këto ekzistojnë, sepse në rast se ezksitojnë është një fat shumë i madh sepse do të vërtetojnë akoma më shumë manipulim zonja Kryetare. Sepse në kohët e sotme është e lehtë që për dëgjuesit e thjeshtë që nuk i njohin mirë këto punë dhe këto teknologji të bësh manipulime.
Por në kohët e sotme është akoma më e lehtë që me teknologjinë moderne të evidentosh dhe të nxjerrë lakuriq të gjitha manipulimet që bëhen nga pikëmapja teknologjike. Kështu që këto ishin disa nga vlerësimet që unë doja t’ju bëja juve të ditur lidhur me kërkesën që ka bërë Prokuroria e cila duket tërësisht e pamjaftueshme dhe joserioze po të kemi parasysh se kemi më shumë se një muaj që a ndodhur kjo gjë, pra që është shfaqur ky videopërgjim dhe që më pas mbi bazë të të cili kemi parë ato skena dhune kundër institucioneve dhe Këshillit të Ministrave më datë 21 janar, kemi parë viktima të pafajshme, kemi parë me dhjetëra përfaqësues të shtetit të plagosur, kemi parë njëkohësisht edhe qytetarë të plagosur dhe po dëgjojmë një refren të vazhdueshëm të luftë antikorrupsion të bazuar pikërisht mbi këtë videopërgjim të korruptuar që nga fillimi i tij, që nga projektimi i tij e deri tek rezultatet e tij. Çfarë dua unë nga ju zonja Kryetare? Unë nga ju dua që parlamenti të ndjekë me përgjegjësi maksimale përshpejtimin e hetimit për këtë çështje, sepse unë kam dy dyshime. Jam i bindur se kryetari i PS-së dhe persona të tjera do të bëjë çdo gjë që kjo çështje të mos zbardhet.
Do të bëjnë çdo gjë që Prokuroria të mos dalë e të thotë nëse Ilir Meta ka kërkuar 700 mijë euro për veten e tij apo në rast se ky është një manipulim, për të siguruar një skenar dhune për të përmbysur nj qeveri legjitime me dhunë. I vetmi favor që do t’ju kërkoja juve zonja Kryetare e Parlamentit dhe kësaj mazhorance është ky: në rast se Prokuroria konfirmon këto akuza mbi të cilat ka ngritur edhe këtë procedim penal, atëherë unë do të kërkoja ta vuaja dënimin në qelinë më të errët më p drita më me lagështirë që ndodhet në Shqipëri.
Por natyrisht jam i bindur se duke dalë e vërteta do të jenë ata të tjerët që do të marrin kostot e këtij manipulimi skandaloz, të jashtëzakonshëm që nuk është bërë për të dëmtuar vetëm një njeri, por që është bërë për të shkatërruar institucionet në këtë vend, për të shkatërruar normalitetin demokratik në këtë vend, për të ndërprerë proceset integruese në këtë vend, për të ardhur në pushtet me dhunë me manipulime dhe ke korrupsion në këtë vend. Unë besoj se atë favorin që unë kërkova do të ma plotësoni në rast se Prokuroria do të konfirmojë këto akuza. Tjetra, duke pasur bindjen se Prokuroria do të jetë në presion të vazhdueshëm për të mos i dhënë përgjigje çështjes bazuar mbi të cilën ajo ka nisur këtë hetim, që është pikërisht kaseta e “Fiks Fare”, nëse ishte apo jo një montim televiziv, unë kërkoj që Parlamenti ta ndjekë nga afër. Dhe nëse Prokuroria vonohet, Parlamenti i ka të gjithë instrumentet për të bërë një ekspertizë përsëri të plotë të thelluar të detajuar, sepse besoj se ekzistojnë të gjithë parametrat shkencorë për të realizuar këtë gjë.
Pyetje nga Ilir Rujsmali. Z. Meta nëse ju kujtohet, a e mbani mend ditën që ju keni dal para mediave dhe thatë që po bëjë një hetim me ekspert të huaj?
Unë z. Rusmajli kam bërë publike faktin se kemi bërë disa akte ekspertimi të standardeve ndërkombëtare. Akti i cili unë iu paraqita sot është një analizë shumë e detajuar teknike-shkencore, është i ditëve të fundit, është një përforcim i të gjithë akteve të tjera të mëparshme por që natyrisht teknologjia e përparuar dhe eksperienca e jashtëzakonshme e profesorit në fjalë është e tillë që më krijon mua mundësitë që të jap Kryetares së Kuvendit, Prokurorisë, apo Gjykatës dhe personi në fjalë është i gatshëm të bashkëpunojë me këto institucione apo organe në të ardhmen dhe pikërisht kjo është një punë shkencore është një doktoraturë mbi bazën e një emisioni.
Por të gjitha aktet e tjera konfirmojnë të njëjtën gjë por kjo e konfirmon në mënyrën më të kristaltë sepse e tillë është teknologjia e tillë është eksperienca dhe kjo është firmosur në 12 shkurt. Pse e bëra këtë akt? Sepse e pashë që nuk kishte vullnet për ta sqaruar këtë çështje. Se kjo mund të ishte sqaruar që tre ose katër ditë mbasi kishte ndodhur. Se ekzistojnë të gjitha mundësitë për ta bërë këtë gjë. Dhe për të treguar se në dy tre ditë mund të bëhet një punë e mirëfilltë shkencore, mund të sqarohet çdo gjë me sekonda dhe me të qindat e sekondës dhe kjo nuk është një çështje për të pyetur a është apo s’është në këtë video Ilir Meta. Ne kemi dhe ekspertiza të tjera të cilat konfirmojë të njëjtat gjëra po ashtu. Po kuptohet që ky është punim shkencor në nivelet më të larta, më të fundit. Faleminderit!
Pyetje Ilir Rusmajli: Që nga dita që juve keni bërë publike disponimin e këtij akti ekspertimi iu është ofruar ndokush nga Prokuroria e Përgjithshme për t’u njohur me përmbajtjen e tij. A ka kërkuar njeri të dijë rreth kësaj?
Nuk ka pasur ndonjë interes në këtë drejtim. Unë dhe avokatët e mi kemi shprehur interes për bashkëpunim sa më të ngushtë me Prokurorinë. Dhe kemi bërë dhe një ankesë ndaj Prokurores së Përgjithshme dhe Prokurorisë lidhur me transparencën e këtij procesi dhe teknikat për të cilat është e detyrueshme që Prokuroria të bashkëpunojë me të gjithë personat dhe natyrisht ne kemi dhe rezervat tona lidhur me mënyrën që ka proceduar Prokuroria për sa i takon marrëdhënies të saj me ekspertin të cilin i është drejtuar, pasi besoj se duhet të ishte më shumë zyrtare, shumë më ligjore që kjo gjë të kishte ndodhur në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Drejtësisë ashtu sikurse e parashikon dhe ligji. Do të ishte shumë më mirë nëse do ishte zhvilluar ky bashkëpunim me mua dhe me avokatët e mi se praktikisht jam unë i abuzuar në të gjithë këtë çështje pasi ne do t;i ishim lutur Prokurorisë që të vendoste një pyetje. Nga analiza e audios, pra zërit, vërtetohet apo jo biseda e transmetuar në “Fiks Fare” dhe akuzat e bëra ndaj z. Ilir Meta bazuar në këtë video dhe kjo është një çështje shumë e rëndësishme.
Pyetje Ilir Rusmajli: Nga materiali që na ka vënë në dispozicion Prokurorja e Përgjithshme, evidentohet qartë se çështja penale ka ardhur mbi bazën e një video-regjistrimi audioviziv, të transmetuar nga emisioni “Fiks Fare” mbi këtë bazë ka filluar çështja penale. Ndërkohë, që PP thotë se nuk ka vënë për ekspertim këtë material. Thotë se ka vënë për ekspertim një video-regjistrim të ofruar nga z. Dritan Prifti, ndërkohë që ju keni kryer video-ekspertimin mbi bazën e atij materiali. Për aq sa ju keni pasur kontakte dhe komunikim me Prokurorinë gjatë kësaj kohe iu është dhenë ndonjë shpjegim pse është bërë ky ndërrim i videove?
Nuk kemi marrë asnjë shpjegim të tillë, në gjithë këtë proces, kam qenë unë personalisht dhe avokatët e mi që kemi qenë shumë të interesuar të bashkëpunojmë, të deponojmë, të provojmë, të konfirmojmë, apo të rrëzojmë vendime të caktuara të marra nga ne, apo nga Prokuroria, apo persona të caktuar për denoncimet përkatëse . Unë po iu them se të gjitha ekspertizat që ne kemi bërë konfirmojnë të njëjtat konkluzione të montimit dhe tregojnë qartë që titrimi është totalisht i manipuluar. Nuk kanë lidhje me bisedën që është bërë por janë thjesht për t’iu imponuar teleshikuesve me titra dhe duke mos treguar të vërtetën e asaj që është thënë.
Kjo është ajo që ne kemi bërë dhe kemi qenë të detyruar të bëjmë në mënyrë ligjore. Kjo është e noterizuar çdo faqe e kësaj analize shkencore është e firmosur nga autori i ekspertizës në fjalë. Dhe këtë e bëjmë edhe për respekt të çështjes por edhe për respekt të këtij Komiteti këtu, edhe të Parlamentit të pasi ashtu sikurse iu sjell Prokuroria disa të dhëna paraprake pa dyshim që është dhe një detyrë e imja si deputet, si anëtar i këtij Parlamenti t’i u sjell juve në vend të tre rreshtave 25 faqe punime shkencore të bëra nga një autoritet i padiskutueshëm i kësaj fushe.
Pyetje nga deputeti i PS-së, Damian Gjinuri: Cili është qëllimi i ekspertizës që juve keni ndërmarrë? Që ta kuptojmë të gjithë ne?
Së pari, do të ishte mirë që këtu të kishim përfaqësues të Prokurorisë. Por kjo nuk është në dorën time dhe ndoshta nuk është as në dorën tuaj, nuk e di si veprohet në këto raste. Se çfarë ka bërë Prokuroria ju mund t’i lexoni ato rreshta. Pretendimi im qëndron në faktin se Prokuroria, e cila ka nisur një çështje mbi bazë të një video-përgjimi, të një emisioni “Fiks Fare”. Dhe në studion ku e ka çuar nëse kjo bisedë është autentike, në rast se aferat që përmenden dhe paratë që do të merreshin janë të vërteta, janë autentike sepse mbi bazë të kësaj ka nisur hetimi. Ndërsa ekspertiza që iu kam sjellë është mbi bazë të videos të transmetuar ne emisionin “Fiks Fare”, me atë që ka nisur Prokuroria hetimin dhe në rast se ekzistojnë materialet origjinale të jeni të sigurt se do të ketë akoma më shumë konfirmime të montimeve, të manipulimeve sepse e tillë është teknologjia z. Gjiknuri.
Pyetje e deputetit Damian Gjiknuri: Nëse përgjigja që ju keni çuar në Amerikë do të ishte me probleme, pra do të dilte montazh, do të ishit treguar i gatshëm t’iu hiqej imuniteti?
Tani zotëri, meqenëse jeni dashuruar me këtë video dhe me përgjimin e saj, ju dhe të gjithë duhet të kuptojnë që unë këtë çështje sikur Prokuroria edhe nesër të thotë kjo nuk ishte një provë, unë këtë çështje do ta çoj në gjyq. Dhe me miliona euro, jo me 700 mijë, që përfitohen nga këto procese gjyqësore, znj. Kryetare, do të kërkoja dhe ndihmën tuaj si Kryetare e Parlamentit, të krijojmë një fondacion “Media kundër korrupsionit” me anëtarë nga shoqëria civile, në mënyrë që të edukohen njerëzit dhe vetë gazetat, gazetarët që të investigojnë për korrupsionin por kurrsesi për të manipuluar opinionin publik dhe për të përdorur televizionet, mediat për të nxitur gjakderdhje përmes skupeve të manipuluara televizive.
*Deklarata e plotë e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve