English

Meta: Prokuroria jo serioze në hetim, nuk hetoi videon e transmetuar

Tiranë, 14 shkurt 2011, NOA – Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Ekonomisë Ilir Meta është paraqitur sot në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve i mbledhur për të diskutuar kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të Ilir Metës, pas publikimit të video-përgjimit Meta-Prifti, ku Meta denoncohet për afera korruptive me përfitim prej 700 mijë eurosh. Përballë këshillit kreu i LSI-së deklaroi se ai ka qenë i gatshëm për të lënë imunitetin në shërbim të zbardhjes sa më parë të skandalit, porse akuzoi rishtas prokurorinë se nuk po tregon seriozitet në hetimin e çështjes.

Meta deklaroi rishtas se videoja Meta-Prifti është një montazh i shëmtuar, i bërë me qëllim të caktuar, dhe që solli pikërisht sikundër tha Meta vrasjen e katër njerëzve në 21 janar.

“Kam theksuar se jam i gatshëm për zbardhjen e kësaj videoje dhe hetimit të çështjes, pasi ishte kjo video, mbi bazën e sa u vranë katër njerëz në 21 janar”, tha meta.

Ai kërkoi gjithaq që e vërteta e videos të zbardhet sa më parë, duke akuzuar prokurorinë se me këtë kërkesë të vonuar prej mëse një muaj kjo e fundit po tregon mungesë vullneti për zbardhjen e videos.

[media id=128 width=600 height=440]

Por zoti Meta e cilësoi edhe nisjen e hetimit mbi bazën e asaj çka është transmetuar në emisionin Fiks fare si një mungesë vullneti, pasi sikundër deklaroi Meta Prokuroria duhej të kishte ekzaminuar pikërisht atë çka u transmetua në Fiks Fare, pasi sipas tij është pikërisht ai transmetim molla e skandalit Meta-Prifti, një video tërësisht e montuar.

“Prokuroria bazohet vetëm në atë që është transmetuar, s’ka bërë hetim”, sqaroi Meta.

Ai theksoi se “Unë kam shpresuar se Prokuroria do të sillte prova, për fajësinë e Ilir Metës, apo të atyre që kanë bërë montazhin”, nënvizoi ai.

“Kjo video montazh i pastër televiziv”, tha Meta.

Meta bëri me dije se ka vërejtje për një çështje specifike.

Ai theksoi se asnjëherë s’ka mohuar ekzeistencën e tij në atë video.

Kreu i LSI-së informoi gjithashtu se njeriu që e ka përgjuar, pra Dritan Prifti është një person që ka probleme me dëgjimin, nga njëri vesh.

Në këtë kontekst Meta sqaroi se “sa herë që flisja me të isha i detyruar të ngrija zërin”.

Këtë fakt, Meta e denoncoi duke argumentuar edhe vërejtjen e ekspertit, i cili kishte thënë se lidhur me zërin ai nënvizoi se nuk ishte në gjendje ta pastronte zërin video dhe audio me pajisjet që kishte në dispozicion.

Në këtë suazë Meta tha se “Problemi është se prokuroria e ka nisur hetimin mbi bazën e asaj që u transmetua në emisionin në Fiks Fare dhe nuk ka marrë pikërisht atë video. Kjo është e tmerrshme, pasi është bërë gati një muaj që u vranë katër vetë për të luftuar kundër korrupsionit të Ilir Metës dhe kësaj qeverie”, shtoi Meta.

Ai deklaroi gjithashtu se mbetet konseguent në kërkesën e tij për heqjen e imunitetit duke garantuar se është gati që drejtësia të vihet në vend.

“Unë e kam marrë shumë seriozisht këtë çështje pasi dinjiteti im nuk përcaktohet nga shokët e bulevardit”, tha zoti Meta në këshillin e Rregullores dhe Mandateve.

mit/NOA

KOMENTE