Sarandë, 14 Shkurt 2011 NOA - Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek “OMONIA” thotë se prezenca e helenizmit në Korçë dhe Voskopojë është diçka më shumë se një fakt dhe e dokumentuar historikisht.
Deklarata e OMONIA vjen në mbrojtje të thënieve të konsullit grek në Korçë dhe si reagim për ato që i cilëson sulme në media kundër tyre.
Në pritje të regjistrimit të lirë të popullsisë dhe të pronave të paluajtshme në Shqipëri, pjesë e mediave shqiptare dhe qendra të tjera që nuk mund të kuptojnë shpirtin e epokës bashkëkohore, zbulojnë çështje që nuk ekzistojnë dhe kultivojnë fantazma për të ruajtur klimën e tensioneve në bashkekzistencën e komuniteteve tona dhe në marrëdhëniet greko-shqiptare, ka thënë sot OMONIA përmes një deklarate të posaçme.
Sipas saj, radhën këtë herë e kishte konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Korçë, i cili si i ftuar nderi në festimet e 20-vjetorit të degës së organizatës sonë në Korçë, duke përshëndetur aktivitetin bëri një apel të vetëkuptueshëm për grekët prezentë për pjesëmarrje në regjistrimin e popullsisë duke deklaruar secili atë që ndjen.
Prezenca e helenizmit në Korçë dhe Voskopojë është diçka më shumë se një fakt dhe e dokumentuar historikisht, thotë OMONIA dhe vijon: “Megjithëse zona përballoi presionet më të mëdha asimiluese në të kaluarën”.
Këtu OMONIA paralajmëron se “askush nuk mund të pengojë sot të deklarojnë atë që ndjenë” dhe akuzon: “Shantazhet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, nuk kanë asnjë lidhje me shpirtin bashkëkohor dhe nuk lidhen me ecurinë evropiane të Shqipërisë”.
Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek ‘OMONIA’, por edhe tërësia e minoritetit grek, nuk përbëjnë asnjëherë problem dhe kërcënim për shtetin shqiptar, por faktor paqeje dhe zhvillimi, ndërsa shteti grek është aleati më kryesor i Shqipërisë, në ecurinë integruese të aleancave euroatlantike dhe rrjedhimisht nuk mund të kuptojmë ‘shqetësimin’ e qendrave të mësipërme. Do të prisnim që media shqiptare të ishte mbrojtëse e regjistrimit të lirë, kritike në drejtim të organeve kompetente, përderisa pak muaj para regjistrimit nuk bëjnë publike mënyrën dhe pyetësorin përfundimtar dhe jo të përcjellë frymën antigreke në opinioni publik, - vijon deklarata reaguese.
Kurse në përfundim, thuhet: “Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek “OMONIA”, besnik në vizionin për bashkekzistencën paqësore të komuniteteve tona, do të vazhdojë të luftojë dhe të përbëjë faktor paqeje e bashkëjetese, duke pretenduar paralelisht respektin reciprok të minoritetit grek”.
e.r/NOA