Tiranë, 14 shkurt 2011, NOA – Qëndrimi i policisë në 21 janar ishte një qëndrim i drejtë dhe profesional edhe pse policia u provokua nga demonstruesit. Kështu ka deklaruar sot Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Aleksandër Arvizu, i cili i ka dorëzuar sot Drejtorit të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj një raport të ekspertëve amerikanë lidhur me përgatitjen dhe qëndrimin e policisë së shtetit gjatë demonstratës së 21 janarit. Duke zbardhur për mediat raportin Ambasadori Arvizu deklaroi se ekspertët amerikanë e panë të drejtë qëndrimin e policisë ndaj demonstruesve.
“Gjatë dhunës së 21 janarit Policia e Shtetit ishte e pambrojtur dhe shprehu kurajo që duhet lavdëruar. Ata qëndruan të palëvizur në sulmet që iu bënë me gurë, hunj e bomba molotov”, bëri me dije zoti Arvizu.
Në fjalën e tij ai shprehu mirënjohjen dhe respektin për punën e Drejtorit të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, duke theksuar se gjatë dhunës së 21 janarit drejtori Burgaj mori masa për të ruajtur gjakftohtësinë. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu bëri thirrje që organizatorët e akteve të dhunshme të 21 janarit të vihen përballë drejtësisë.
Sikundër edhe më herët, Ambasadori Aleksandër Arvizu kërkoi nga Prokuroria një hetim të plotë, të gjithanshëm e transparent të ngjarjeve të 21 janarit dhe vrasjes së katër demonstruesve.
Gjatë takimit me Amabsadorin amerikan Aleksandër Arvizu, qëllimi i të cilit ishte dorëzimi i raportit të ekspertëve amerikanë mbi qëndrimin e policisë në 21 janar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj e falenderoi ambasadorin amerikan duke theksuar se SHBA-të e kanë ndihmuar tejet policinë me mjete logjistike.
mit/NOA