Tiranë, 14 shkurt 2011, NOA – Si për të larguar zymtinë që perceptohet pranë godinës së kryeministrisë pas ngjarjeve të 21 janarit dhe vrasjes së katër demonstruesve, tullumbacet në formë zemre dhe tingujt e lartë të disa hiteve të njohura të dashurisë parathanë sot në një mënyrë të veçantë se edhe Kryeministri Sali Berisha po festonte Shën Valentinin, ditën e shënuar në kalendar si dita e të dashuruarve. Për ta festuar këtë ditë që për kryeministrin shënoi dy gëzime njëherësh pasi është edhe ditëlindja e mbesës së tij Amla, Kryeministri Berisha priti këtë paradite në ambientet e kryeministrisë një grup të rinjsh nga shkollat e mesme të kryeqytetit, të cilëve u uroi 14 shkurtin, ditën e Shën Valentinit.
Në mënyrë simbolike për këtë ditë të veçantë kryeministri i dhuroi secilit prej tyre nga një trëndafil.
Shefi i ekzekutivit në urimin e tij për të rinjtë u shpreh se “kjo është ditë për dashurinë jo për kryeministrinë, por unë pata shumë kënaqësi t’ju ftoj, t’ju dhuroj një lule, sepse ju jeni lule. Do të doja që çdo shkollari, djali, vajze, sot në Shqipëri t’i dhuroja një lule”. Festa nuk është festë zyrtare, tha shefi i qeverisë, por është festë e njeriut për dashurinë.
Sipas tij tek dashuria qëndron dhe forca më e madhe, më magjike, më e fuqishme e njeriut në të gjithë jetën e tij.
Ai u dërgoi një përqafim të gjithëve duke i uruar shumë dashuri dhe shumë gëzime për Shën Valentinin.
mit/NOA