English

Berisha-Hammarberg: Drejtësi e pavarur, gjykim i plotë për 21 janarin

Tiranë, 15 shkurt 2011, NOA – Ndërkohë që opozita ka paralajmëruar zhvillimin e një tjetër demonstrate në 18 shkurt, Thomas Hammarberg, Komisioneri i Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut ka mbërritur sot në Tiranë dhe në takimin me Kryeministrin Sali Berisha ka kërkuar që të bëhet një hetim e gjykim sa më i plotë e i gjithanshëm i ngjarjeve që shënuan demonstratën e 21 janarit ku humbën jetën katër demonstrues të qëlluar me armë pranë godinës së kryeministrisë. Kryeministri Berisha duke folur për hetimin e prokurorisë u shpreh se drejtësia e pavarur, e paanshme dhe gjithëpërfshirëse është dhe mbetet themelore për kapërcimin e kësaj situate.

Ai e garantoi Komisionerin e KiE-s, Thomas Hammarberg, se institucionet kompetente, duke nënkuptuar Prokurorinë, do të kenë të gjithë mbështetjen, ndihmën dhe bashkëpunimin e qeverisë shqiptare për zbardhjen e të gjitha përgjegjësive të ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit, ku u vranë katër demonstrues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Pasi diskutoi për situatën politike në vend, në një kohë kur opozita ka deklaruar se nuk do të ndalet së protestuari për largimin e qeverisë Berisha, komisioneri evropian Hammarberg theksoi se situata politike duhet të vijë drejt normalizimi e në këtë kontekst ai vlerësoi reformat në fushën e të drejtave të njeriut dhe hapat pozitivë drejt normalizimit të situatës.

Zyra e Shtypit e qeverisë ka zbardhur takimin e Kryeministrit Berisha me komisionari Hammarberg, ku bëhet me dije se ky i fundit ndau të njëjtin qëndrim me Kryeministrin për rëndësinë themelore të një hetimi të pavarur dhe të balancuar nga drejtësia shqiptare për zbardhjen e 21 janarit.

Më tej mësohet se Kryeministri Berisha e njohu zotin Hammarberg me reformat e ndërmarra nga qeveria për garantimin e të drejtave të njeriut, duke shprehur bindjen se konsolidimi i këtyre të drejtave është një proces i vazhdueshëm, për të cilin zoti Berisha shprehu angazhimin e plotë të tij dhe të qeverisë në këtë drejtim.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Hammarberg diskutuan mbi përpjekjet e liderit të opozitës, që në 21 janar, tentoi të marrë me dhunë institucionet demokratike.

Shefi i qeverisë e informoi Komisionerin eurorpian se para 21 janarit opozita aktuale ka zhvilluar rreth 1730 tubime paqësore ku asnjë e drejtë nuk është dhunuar apo kufizuar.

Në këtë kontekst kryeministri Berisha i shprehu zotit Hammarberg, se qeveria mbetet e vendosur për të respektuar në çdo moment me rigorozitet të plotë të drejtat e qytetarëve shqiptarë, porse theksoi shefi i qeverisë, qeveria nuk do të lejojë në asnjë rast cënimin e institucioneve demokratike dhe rendit kushtetues përmes forcës.

mit/NOA

KOMENTE