Tiranë, 15 shkurt 2011, NOA-Një marrëveshje shumë e rëndësishme u firmos ditën e sotme nga Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Spiro Ksera, i cili nënshkroi “Paktin e mirëkuptimit” mes Qeverisë dhe Partnerëve Socialë.
Ministri premtoi angazhim për hartimin dhe zbatimin e legjislacionit të punës në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së tij ai tha se, kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme dhe është shprehje e vullnetit të kësaj Qeverie për forcimin e bashkëpunimit tripalësh dhe përmirësimin e dialogut dhe partneritetit social në vend.
“Ne i jemi përgjigjur pozitivisht kërkesës së drejtë të partnerëve për nevojën e një marrëveshjeje të tillë, diskutuar dhe miratuar njëzëri edhe në mbledhje të Këshillit Kombëtar të Punës, u shpreh Ministri Ksera, të ndërgjegjshëm për kontributin e partnerëve socialë në realizimin dhe përshpejtimin e objektivave të Integrimit Euroatlantik të vendit dhe për rëndësinë e adoptimit dhe respektimit të normave dhe standardeve ndërkombëtare në zhvillimin e proceseve demokratike dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, theksoi ministri Kesra.
Sipas tij, “nëpërmjet këtij Pakti palët angazhohen të hartojnë dhe zbatojnë politika dhe legjislacion pune në përputhje më standardet ndërkombëtare dhe evropiane, të institucionalizojnë partneritetin dhe dialogun social, të përmirësojnë nivelin e jetesës së punonjësve, nëpërmjet garantimit dhe mbrojtjes të standardit të nivelit të jetesës së punonjësve, rritjes së pagave të punonjësve të arsimit dhe shëndetësisë, të pensioneve të qytetit dhe fshatit dhe balancimit të pagave dhe pensioneve, rritjes së pagës minimale në shkallë vendi, si dhe marrjen e masave efektive për sigurimin e energjisë elektrike në mënyrë të vazhdueshme për konsumatorët familjarë dhe bizneset, etj”.
Ndërkaq edhe përfaqësuesit e partnerëve socialë e konsideruan nënshkrimin e Paktit si shumë të rëndësishëm dhe në funksion të dialogut social në vend.
Ky Pakt tripalësh i Mirëkuptimit Social midis Këshillit të Ministrave dhe partnerëve socialë, Organizatat e Punëmarrësve dhe Organizatat e Punëdhënësve, u firmos nga ministri, i cili nënshkroi edhe në emër të qeverisë, ndërkaq nënshkruan edhe Presidenti i BSPSH dhe Nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Punës, Gëzim Kalaja, në emër të Organizatave të Punëmarrësve dhe, në emër të Organizatave të Punëdhënësve, Avenir Kika.
a.y/NOA