Kllokot, 15 Shkurt 2011 NOA – Plot 60 familjeve skamnore të komunës së Kllokotit - serbe dhe shqiptare, nga autoritetet e kësaj komune, u janë ndarë nga një metër kub dru për ngrohje.
“Kjo sasi e druve është siguruar nga mjetet buxhetore të komunës dhe u janë shpërndarë familjeve që jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike" ka thënë Refik Halili, nënkryetar i komunës për komunitete.
Sipas tij çdo familje ka marrë nga një metër kub dru dhe këtë ndihmë e kanë përfituar familjet skamnore shqiptare dhe serbe ku pjesa dërmuese e këtyre familjeve janë të komunitetit serb.
Ndarja e kësaj sasie të druve është bërë në bazë të regjistrit që ka përpiluar Drejtoria për Shërbime sociale e komunës së Kllokotit ku figurojnë emrat e këtyre familjeve që janë përfitues të këtyre ndihmave.
Por ka edhe raste ku disa familjeve u janë ndarë dru për ngrohje edhe pse nuk janë në këtë regjistër por që jetojnë në varfëri të skajshme”, - ka thënë Halili.
a.b/NOA