Prishtinë, 15 shkurt 2011, NOA- Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë është shumë i shqetësuar për ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të artikujve kryesorë për jetesë.
Viti 2011 ka filluar me një varg ngritjesh të çmimeve të artikujve ushqimorë dhe të shërbimeve publike. Një tendencë e tillë ku jo vetëm shtrenjtimet aktuale por edhe paralajmërimet për ngritjen e mëtutjeshme të çmimeve pashmangshëm do ta thellojnë krizën sociale në Kosovë e cila edhe ashtu është shumë e rëndë.
Për furrtarët nuk mjaftoi ngritja e fundit e çmimit të bukës por ata kanë kërkuar edhe një ngritje të re të çmimit të bukës. Kjo ngritje është edhe më e paarsyeshme aq më parë kur kemi parasysh faktin që buka që ofrohet nuk ka peshën me të cilët ajo shitet. Për këtë edhe më herët KMDLNj ka kërkuar nga inspektorati kompetent që të ndërmerr masa për të mbrojtur konsumatorin. Në bazë të një hulumtimi të KMDLNj ku për mostër janë marrë bukët e blera në 15 furra të qytetit del se asnjëra furrë nuk e shet bukën me peshën e paraparë dhe dallimi midis peshës shkon deri në 100 gram në dëm të konsumatorit.
KMDLNj tërheq vërejtjen edhe njëherë për papërgjegjësinë e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës Megjithëse KMDLNj ka reaguar edhe më parë për fenomenin e shkyçjeve kolektive e cila publikisht nuk po pranohet nga zyrtarët e KEK, megjithatë KEK po e përdorë këtë dënim kolektiv për rritjen e shkallës së inkasimit . Me gjithë këtu KMDLNj vazhdon të merr ankesa nga qytetarë të cilën ankohen për shkyçje kolektive që i bënë KEK e që paraqet shkelje të drejtave të njeriut. Aq më parë që KEK ka mundësi teknike t’i shkyç konsumatorët e pandërgjegjshëm në mënyrë individuale në rast se ata nuk i shlyejnë borxhet.
Kohë më parë KMDLNj kishte paralajmëruar se KEK ka kërkuar ngritjen e çmimit tarifave të rrymës. Kompania në fjalë, përmes zyrtarit për informim kishte mohuar një gjë të tillë. Kjo nuk zgjati shumë dhe tani edhe publikisht KEK ka pranuar se ka kërkuar një ngritje prej 7% të çmimit të tarifave të rrymës që do të jetë ngarkesë shtesë për buxhetin e lodhur të shumicës së familjeve kosovare. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon dhe më gjerë që për energjinë e shpenzuar paguajnë dy herë; duke paguar taksa për Buxhetin e Kosovës i cili e subvencionon KEK-un dhe duke i paguar faturat për energjinë e shpenzuar. Konsumatorët e energjisë elektrike ankohen se muajt e fundit i kanë marrë faturat e fryra.
Ngritja e çmimeve të artikujve kryesorë për jetesë, mungesa e rrymës dhe e ngrohjes janë faktorë që direkt ndikojnë në kualitetin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Për qytetarin gjendja e tillë është e padurueshme në aspektin ekonomik, social, shëndetësor dhe psikologjik.
Një gjendje e tillë kur institucionet, kompanitë dhe mekanizmat përgjegjës nuk marrin përgjegjësi, shumë lehtë mundë të çojë në shpërthim aktiv të një krize sociale. Qytetarët e Kosovës në këto momente janë të pambrojtur në mënyrë institucionale nga kjo stuhi e ngritjes së çmimeve dhe rënies së kualitetit të jetës.
KMDLNj edhe njëherë u bënë thirrje publike institucioneve që të marrin masa për të mbrojtur qytetarin nga ky degradim dhe mjerim social.
Për KMDLNj nuk ka dhe nuk duhet të ketë prioritete tjera për institucionet e Kosovës se sa kualiteti i jetës së qytetarit dhe mirëqenia sociale.
KMDLNj i fton të gjithë ata që kanë borxhe të pashlyera ndaj KEK, Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës dhe nivel vendi t’i kryejnë obligimet në mënyrë që të përmirësohet furnizimi dhe të ruhet niveli i çmimeve. Ndërkaq , sa i përket shlyerjes së borxheve ndaj Termokos-it, KMDLNj mendon se kjo duhet të bëhet në përputhje me shërbimet e ofruara apo cilësisë së ngrohje së ofruar. KMDLNj ka mirëkuptim ndaj kategorive në asistencë sociale andaj kërkon intervenim e Qeverisë në mënyrë që kjo kategori të lirohet nga pagesa, pavarësisht përkatësisë etnike. KMDLNj kundërshton statusin e konsumatorit të privilegjuar siç është rasti me Feronikelin andaj kërkon të ndërpriten këto marrëveshje diskriminuese me të cilat dëmtohet Buxheti i Kosovës dhe konsumatorët!
NOA