English

Mitrovicë, plan bashkëpunimi me turqit

Mitrovicë, 15 Shkurt 2011 NOA - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur sot në takim ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, me të cilën ka biseduar për gjendjen politike dhe ekonomike në Mitrovicë.

Gjithashtu është folur për bashkëpunim ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe komunave nga Turqia.

Ambasadorja turke, ka thënë se Turqia angazhohet për një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht.

“Jemi të interesuar që Kosovën ta ndihmojnë në aspektin e zhvillimit ekonomik”, duke shtuar se Kosova ka një popullatë të re dhe me perspektivë. Ajo theksoi se janë duke punuar që biznesmenët turq të investojnë në Kosovë sa më shumë. “I vlerësojmë shumë pozitivisht marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet komunave të Kosovës dhe atyre të Turqisë, duke përfshirë këtu edhe Komunën e Mitrovicës”. Në anën tjetër, kryetari Kastrati, tha se Mitrovica ka raporte të shkëlqyera me komunat e Turqisë. “Deri me tani jemi të binjakëzuar me dy komuna nga Turqia, Inegolin dhe Allashehirin dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë”. Ai theksoi se si rrjedhojë e këtij bashkëpunimi të frytshëm, përveç shkëmbimeve në fushën e kulturës janë realizuar edhe projekte të tjera me ndihmën e këtyre komunave. Kryetari Kastrati përmendi ndihmën e Komunës së Inegolit gjatë muajit të Ramazanit vitin e fundit, ku gjatë gjithë muajit të shenjtë janë siguruar nga 500 iftare për qytetarët e këtushëm.

Po ashtu ambasadoren e njoftoi edhe për ndihmën e një biznesmeni nga Inegoli që ka premtuar ndërtimin e një objekti për kryerjen e riteve fetare në varrezat e qytetit në Shipol. “Kemi pasur edhe shumë takime me personalitete, biznesmenë dhe afaristë nga Turqia, për të shqyrtuar mundësitë e investimeve në Kosovë, konkretisht në Mitrovicë”. Në këtë aspekt,

Kastrati, e ka njoftuar ambasadoren edhe për dy projekte të tjera kapitale që parashihet të realizohen në Mitrovicë. Ai përmendi projektin për Parkun Botanik, të cilin e kanë përgatitur falas ekspertët turq si dhe projektin për Zonën e lirë ekonomike.

“Janë dy projekte shumë të rëndësishme dhe jemi shumë të interesuar që t’i realizojmë në bashkëpunim me autoritetet dhe biznesmenët turq”.

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, ka shprehur kënaqësinë për këtë nivel të bashkëpunimit. Ajo gjithashtu i ka vlerësuar si dy projekte tejet të rëndësishme atë për Parkun Botanik e sidomos projektin për Zonën e lirë ekonomike. Kurse tha se do të angazhohet që të gjejë përkrahje për këto projekte që do të ndihmonin zhvillimin ekonomik dhe do të krijonin vende të lira pune.

a.b/NOA

KOMENTE