English

Nesër në seancë, vetëm imuniteti i Ilir Metës

Tiranë, 15 shkurt 2011, NOA – Konferenca e Kryetarëve e mbledhur këtë pasdite vendosi që në seancën plenare të së mërkurës të marrë në shqyrtim vetëm kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Ilir Metës. Zyra e shtypit e Kryesisë së Kuvendit bën me dije se “Konferenca e Kryetarëve vendosi që në seancën e nesërme plenare, të ditës së mërkurë, 16.02.2011, ora 10:00, të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit për fillimin e procedimit penal ndaj deputetit Ilir Meta”.

Gjithashtu në rendin e ditës të seancës së posaçme të së mërkurës do të jetë edhe diskutimi i projekt-vendimit për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të propozimit të shtesave dhe ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit dhe aneksit të saj për kufizimin e imunitetit dhe kushtet e autorizimit të ndjekjes penale, një nismë kjo e firmosur nga deputetët e mazhorancës dje.

Por lidhur me këtë propozim, nismë e një grupi deputetësh të mazhorancës për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektvendimit për ndryshimet në Rregullore, lidhur me modifikimin e dispozitës për ndryshimin e rendit të ditës, si dhe një aneks shtesë të Rregullores për imunitetet, përfaqësuesit e opozitës u shprehën kundër.

Konferencën e Kryetarëve e drejtoi kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

Seanca e të mërkurës u vendos pas paraqitjes së Ilir Metës në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve një ditë më parë.

Ndërkohë që sot ishte përballë Këshillit të Rregullores protagonisti i video-përgjimit Meta-Prifti, ish-Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, i cila tashmë është nën akuzë edhe për një video tjetër, ku ai është vetëregjistruar duke ndarë 70 mijë euro me zëvendësin e tij, Leonard Beqiri, kur Prifti drejtonte dikasterin e Ekonomisë.

Ndërkohë Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i mbledhur sot për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit për fillimin e procedimit penal ndaj deputetit Dritan Prifti, pasi dëgjoi argumentet e zoti Prifti lidhur me video-përgjimin Meta-Prifti caktoi dy relatorë për të hartuar raportin në lidhje me këtë kërkesë.

Konferenca e Kryetarëve caktoi seancën plenare të së enjtes së ardhshme si ditën kur do të kalohet për miratim raporti për imunitetin e Dritan Priftit.

mit/NOA

KOMENTE