English

Operacioni "Rruga e Vjetër" kap 110 kg marijuanë

Tiranë, 15 shkurt, NOA - Ditën e djeshme Prokuroria për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me drejtoritë e Policisë së Durrësit, Kukësit e Tiranës, si dhe me autoritetet zviceriane, pas një hetimi të gjatë finalizuan me sukses operacionin ndërkombëtar “Rruga e Vjetër”.

Si rezultat i këtij operacioni, në portin e Durrësit u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 110 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë, e fshehur në një kamion me targa SK 751 UL dhe SK 858 TR, që drejtohej nga maqedonasi Goran Zhivkovikj.

Në bazë të hetimeve të kryera nga strukturat e mësipërme, kjo sasi lënde narkotike do të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Bari me destinacion final Zvicrën.

Në sajë të këtij operacioni u bë i mundur arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, Goran Millorat Zhivkovikj, vjeç 38, lindur dhe banues në Shkup të Maqedonisë.

Si dhe u ekzekutua ndalimi për Bashkim Elshani, vjeç 35, lindur në Peqan të Kosovës dhe banues në Zvicër; Burim Dervishaj, vjeç 30, lindur dhe banues në Gllogjan të Kosovës; Flurim Elshani, vjeç 34, lindur dhe banues në Peqan të Kosovës; Murat Osmanaj, vjeç 30, lindur dhe banues në Kosovë; Aldo Morini, vjeç 54, lindur dhe banues në Zvicër.

Arrestimi dhe ndalimi i tyre u bë pasi akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 283/a dhe 22 të Kodit Penal.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale.

n.e/NOA

KOMENTE