English

OSBE, Nothelle: Parlamenti, lider për bashkëpunimin politik

Tiranë, 15 shkurt 2011, NOA - OSBE i ka dhënë sot mbështetje Shqipërisë dhe institucioneve të saj në reformat e ndërmarra në integrimin e Shqipërisë. Ky ishte mesazhi që ambasadori i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Vjenë, Andreas Nothelle i përcolli sot Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.

Sipas zyrës së shtypit të Kryesisë së Kuvendit, bëhet me dije se zoti Nothelle theksoi se “Parlamenti mbetet institucioni lider për bashkëpunimin politik dhe reformat e integrimin evropian të Shqipërisë.

Kryetarja e Kuvendit i shprehu mirënjohjen dhe falenderoi ambasadorin e OSBE-së në Vjenë Andreas Nothelle për rolin dhe angazhimin e OSBE-së për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Kryeparlamentarja Topalli i njohu përfaqësuesit e OSBE-së me zhvillimet para, gjatë dhe pas sulmit ndaj Kryeministrisë dhe rendit Kushtetues gjatë protestave të dhunshme të opozitës në 21 janar.

“21 Janari ishte një dhunë ekstreme në tentativë për të rrëzuar institucionet legjitime, që dështoi e do dështojë sa herë ta provojnë ”, tha Kryetarja e Kuvendit.

Sipas saj, rendi dhe Kushtetuta janë të paprekshme.

“Institucionet nuk mund t’i bllokojë askush në axhendën dhe veprimtarinë e tyre”, nënvizoi ajo gjatë takimit me përfaqësuesit e OSBE-së.

Në takim mësohet se është diskutuar edhe për vazhdimin e bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe OSBE-së për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 8 Majit.

Në delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së i kryesuar nga Ambasadori Andreas Nothelle merrte pjesë edhe përfaqësuesin special për Evropën Juglindore Roberto Battelli, i cili është takuar sot edhe me Kryetarin e Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Kjo mbështetje e OSBE-së ndaj Parlamentit vjen kur vetëm pak ditë më parë seanca plenare e Kuvendit ditën e enjte degjeneroi përtej akuzave të ashpra edhe në grushta mes deputetëve, për shkak të tensioneve lidhur me diskutimet për ngjarjet e 21 janarit, për të cilën deputetët e opozitës kërkuan pjesëmarrjen në seancë të kryeministrit Sali Berisha dhe Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, të cilët mungonin, duke dëshmuar sipas opozitës bashkëfajësinë dhe përgjegjësinë për vrasjet e katër demonstruesve në 21 janar.

Ndërkohë opozita e ka akuzuar Kuvendin se është bërë vendi i mos funksionimit të parlamentarizmit në vend.

mit/NOA

KOMENTE