“Historia do ta mbajë mend se shkrepësja e Bouazizit më 17 dhjetor të vitit 2010 u bë shkëndija flakëruese e zjarrit të rrufeshëm arab. Zjarri u përhap aq shpejt saqë drejtuesit arabë e kuptuan se çfarë do të konsumonte. Zjarri ishte tepër i madh për t’u kontrolluar, dhe do të përhapej në mbarë vendet arabe. Diktatori i rrëzuar tunizian, Ben Ali, mbase tani është bërë tym se pse policët e tij nuk e arrestuan dhe burgosen Baouazizin, por e lejuan ta digjte veten”.
Nga Timur Kuran*
Shumë gjëra janë të mundshme. Rruga arabe ka ndryshuar kalkulimin e frikës jo vetëm në vendet që kanë dëshmuar protesta masive, por edhe në shtetet e tjera arabe, ku sunduesit e kanë kuptuar se pakënaqësia nuk mund përgjithnjë të mbahet e frenuar. Liderët e vjetër dhe të rinj arabë do të zbatojnë politika të dizajnuara të shmangin pakënaqësinë populloreDuke e kallur veten pas një fjalosjeje me policinë, shitësi tunizian i perimeve – i edukuar me nivel universitar – Mohamed Bouazizi nxiti një valë protestash në mbarë botën arabe. Shumë diktatorë arabë që kanë mbajtur pushtetin për dekada me radhë, tashmë janë rrëzuar ose janë detyruar të deklarojnë tërheqjen.
Por protestuesit në Kajro, Tunis dhe Saana kërkojnë më shumë. Ata duan edhe qeverisje efikase, reforma ekonomike për ta stimuluar ekonominë, rrëzimin e kolaboracionistëve, të drejta demokratike, liri fetare (dhe mbase po ashtu nga feja) – që përmbledhur mund të thuhet një transformim shoqëror gjithëpërfshirës.
Gjithkah regjimet diktatoriale kanë nxitur kryengritje. Skenat e paharrueshme të adhuruesve të Mubarakut të hipur mbi kuaj e deve duke i rrahur me shufra metalike protestuesit sinjalizojnë se rendi i vjetër nuk do të dorëzohet pa luftë.
Vetë revoltat kanë zënë të papërgatitur monitoruesit, madje edhe prijësit arabë. Po ta kishin ditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës se çfarë do të pasonte, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton nuk do të thoshte – pas shpërthimit të demonstratave në Egjipt – se Qeveria egjiptiane ishte “stabile”. E tash diktatorët arabë kur e kanë kuptuar se i kanë punët ngushtë, kanë vendosur të rrisin pagat dhe të ndajnë ndihma ushqimore, gjë që nuk e kishin bërë më herët, duke avulluar kështu përshtypjen se vendet e tyre rrezikojnë të përfshihen nga efekti zinxhir.
Ta papërgatitur janë zënë edhe kundërshtarët e vjetër të regjimeve. Vetëm disa ditë pas shpërthimit të protestave në Egjipt reagoi “Vëllazëria myslimane”. Ata madje nuk kishin haber se çfarë të bënin, duke treguar kështu se kishin humbur lidhjen me “rrugën arabe”.
Për dekada me radhë, shumica e arabëve nuk ishin të lumtur, por zemërimin e tyre politik e kishin ndryshuar përbrenda, nga frika se do të persekutoheshin pasi do ta shprehnin hapur kundërshtimin e tyre ndaj prijësve shtetërorë. Në biseda të lira me miq të mirë, secili e kishte kuptuar se diçka nuk po shkonte mirë, megjithëse askush nuk e kishte idenë sesi do të mund ta përhapte mesazhin e vet.
Madje edhe ata që për kohë të gjatë janë bërë të njohur për kritikat e tyre ndaj elitave politike arabe, nuk kishin trimërinë për të thënë publikisht “boll ma”, megjithëse kishte disa që guxuan të shprehnin kundërshtimin ndaj pushtetit. Nëse ky grup i njerëzve të revoltuar do ta kishte atëbotë mbështetjen e turmave më të mëdha, e gjitha rruga arabe do të shpërthente përnjëherë në zemërim, ku secili grup do të inkurajonte të tjerët t’i bashkoheshin në kërkimin e protestave të tjera në botën arabe.
Këtë e nuhatën shumë diktatorë arabë, të cilët mobilizuan shërbimet e tyre të inteligjencës dhe sigurisë dhe parandaluan flakët para se ato të përhapeshin.
Historia do ta mbajë mend se shkrepësja e Bouazizit më 17 dhjetor të vitit 2010 u bë shkëndija flakëruese e zjarrit të rrufeshëm arab. Zjarri u përhap aq shpejt saqë drejtuesit arabë e kuptuan se çfarë do të konsumonte. Zjarri ishte tepër i madh për t’u kontrolluar, dhe do të përhapej në mbarë vendet arabe. Diktatori i rrëzuar tunizian, Ben Ali, mbase tani është bërë tym se pse policët e tij nuk e arrestuan dhe burgosen Baouazizin, por e lejuan ta digjte veten.
Me kalimin e kohës, u pa se protestuesit e kishin përnjëmend, frika nisi të ndryshonte anët madje edhe në sallat e pallatit qeverisës tunizian. Hilja kapi edhe rrethin e ngushtë të elitës politike tuniziane. Këshilltarë të Ben Alisë menjëherë nisën ta ndërronin mendjen, duke dashur që më mirë të mos mbesnin në faqet e historisë si njerëz që refuzuan ndryshimin, sesa t’i shërbenin presidentit të zënë ngushtë. Lajmet po tregojnë se edhe në kampin e presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, ka përçarje.
Mekanizmat që nënvlerësuan këtë paparashikueshmëri politike nuk janë unikë për botën arabe. Kryengritje të papritura janë të mundshme ndokund ku njerëzit mbahen nën represion, duke ua ndaluar atyre t’i shpërfaqin hapur preferencat e tyre politike.
Më 1989, rënia e regjimeve represive të Evropës Lindore një pas njësh shokoi botën, madje edhe disidentët të cilët moti kishin parashikuar çarjet e komunizmit. Vetëm pak kohë para revolucionit islamik iranian, një raporti i CIA-s karakterizoi monarkinë iraniane si një “ishull stabiliteti”. Një muaj para Revolucionit rus të shkurtit të vitit 1917, Lenini parashikoi se vendi i tij do të shpërthente në një të ardhme të largët. Por të gjitha këto parashikime treguan se nuk kishin matur saktësisht zemërimin e ndrydhur popullor, që nuk kishte një aksion të koordinuar për t’u kanalizuar.
Por edhe hataja e një revolucioni të papritur do të përfaqësojë befasi. Në Jemen, Tunizi dhe Egjipt askush nuk e di se kush do ta ketë pushtetin në muajt në vijim. Sikur në Iranin e vitit 1979, demonstruesit e bashkuar kundër një regjimi të vjetër kanë dallime të mëdha në qëllime. Kërkesat e tyre kryesore – sigurimi i vendeve të reja të punës, rritje ekonomike, çmime të lira të ushqimeve – nuk janë domosdo të përkuara, dhe ato do të mund të kërkojnë politika që sjellin dhimbje. Të pashmangshme janë ndarjet ndërmjet lëvizjeve opozitare.
Sikur shoqëritë e trazuara të tanishme arabe të kishin tradita demokratike do të priteshin kompromise paqësore nëpërmjet debatit të hapur dhe të ndershëm. Por duke marrë parasysh historitë e tyre të sundimit autokratik, nuk priten hapa të mëdhenj drejt një demokracie të mirëqenë. Megjithëse janë të mundshëm hapat drejt demokracisë, kur do të kalojë euforia e momentit, garuesit politikë do ta kuptojnë se madje edhe në vetëmbrojtje duhet të kufizojnë liritë e kundërshtarëve.
Për t’ia shtuar ndërlikueshmërinë situatës janë islamikët, të cilët deri tani kanë pasur një rejting fort të mirë. Edhe vetë ata janë të përçarë me preferenca prej sundimit me sheriat e deri në zbatimin e një “modeli turk”, përfshirë marrjen e përkrahjes së besimtarëve nëpërmjet kutive të votimit.
Shumë gjëra janë të mundshme. Rruga arabe ka ndryshuar kalkulimin e frikës jo vetëm në vendet që kanë dëshmuar protesta masive, por edhe në shtetet e tjera arabe, ku sunduesit e kanë kuptuar se pakënaqësia nuk mund përgjithnjë të mbahet e frenuar. Liderët e vjetër dhe të rinj arabë do të zbatojnë politika të dizajnuara të shmangin pakënaqësinë popullore. Ata do ta marrin në konsideratë edhe zbutjen e represionit, me qëllim që të gëzojnë simpati edhe shtrëngimin e tij, me qëllim të parandalimit të protestave të pakontrolluara. Ama çfarëdo që do të bëjnë, ata – dhe e mbarë bota – duhet tani të presin befasi.
*Autori është profesor i ekonomisë dhe shkencave politike në “Duke University” dhe autor i botimit “Divergjenca e vjetër: Si e ktheu prapa ligji islamik Lindjen e Mesme”. Komenti është shkruar së pari për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”.