Tiranë, 15 Shkurt 2011 NOA – Qeveria shqiptare ka detyruar gazetën amerikane “New York Times” të publikojë replikën e saj lidhur me shkrimin me titull “Ndalojeni vetëshkatërrimin e Shqipërisë” i publikuar në këtë gazetë më 27 janar 2011 dhe në gazetën tjetër të NYT, “International Herald Tribune”.
Shkrimi kishte për autor Daniel Korski i cili sipas të dhënave nga MPJ shqiptare, njihet si partner ose i dashur i ambasadores së Britanisë së Madhe në Shqipëri.
Ka qenë pikërisht Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila i është kundërpërgjigjur në “New York Times”, shkrimit “Ndalojeni vetëshkatërrimin e Shqipërisë” duke argumentuar sipas saj se “Ja ku ka gabuar Daniel Korski”.
Në këtë replikë, që e titullon “Progresi i Shqipërisë”, ministrja Bregu thekson se të gjithë ata që janë të interesuar dhe të informuar rreth vendit tonë janë shtangur prej tij.
Ministrja e integrimit shkruar se Korski jep një “pamje të paplotë të konkluzioneve të OSBE-së, përsa u përket standardeve të zgjedhjeve të 28 qershorit”.
E këtu Bregu nënvizon faktin se “në raportin e OSBE thuhet se zgjedhjet i plotësuan shumicën e kritereve të OSBE-së dhe se nuk kishte asnjë evidencë të numërimit të parregullt,apo manipulimit të rezultatit.” Një pikë tjetër e përgjigjes së zonjës Bregu është edhe perceptimi për nivelin e korrupsionit në Shqipëri, ku ajo ka sjellë në vëmendjen e lexueseve të së përditshmes amerikane “New York Times”, raportin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2010. Majlinda Bregu thotë se “Shqipëria renditet në vendin e 87-të në një listë prej 178 pjesëmarrësish”.
Kurse shton: “Jo më larg se viti 2005 Shqipëria renditej e 126-ta në një listë prej 159 vendesh. Shqipëria ishte fituese e prestigjiozit Çmimit të Shërbimit Publik të Kombeve të Bashkuara për vitin 2010, për përmirësimin e transparencës, gatishmërisë dhe reagimit në sektorin e shërbimeve publike”.
Po ashtu, edhe ngjarjet e 21 janarit – të cilat gjetën një pasqyrim të gjerë në mediat ndërkombëtare, kanë qenë në qendër të përgjigjes së Ministres së Integrimit.
Dhe njëkohësisht ajo ka nënvizuar se Shqipëria nuk është një vend në luftë, siç do të preferonin mbase krerët e opozitës shqiptare:
Majlinda Bregu thotë më tej në replikën e saj ndaj Korskit në “New York Times”: “Më 21 janar, kryetari i opozitës dështoi në përpjekjen e tij për të rrëzuar me dhunë qeverinë e ligjshme. Ne falënderojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen e tyre në kapërcimin e kësaj situate”.
Kurse përfundon me vlerësimin: “Argumentet e z. Korski bëhen akoma më të habitshme kur ai sugjeron se BE-ja duhet t’i shfuqizojë institucionet shqiptare dhe t’ia nisë nga fillimi, një masë që merret vetëm në një vend të sapo dalë nga lufta”.
e.t/NOA
LEXONI KETU REPLIKEN E PLOTE TE BREGUT NE ANGLISHT
LEXONI KETU SHKRIMIN E PLOTE TE KORSKIT NE SHQIP
LEXONI KETU SHKRIMIN E PLOTE TE KORSKIT NE ANGLISHT