Tiranë, 15 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana – Edhe pse ishin minutat dhe orët e para të 15 shkurtit, mijëra djem e vajza në metropolin shqiptar vendosën të mos i ndahen festimeve të Shën Valentinit, duke “vjedhur” pak edhe nga dita që vjen pas, ajo e Shën Faustinit.
Baret, restorantet, night-club-et e kryeqytetit dhe periferisë së saj por edhe në disa qytete kryesore, u mbushën dje dhe sot deri në orët e para të mëngjesit, plot me njerëz që festuan ditën e të dashuruarve.
Më pak shëtitje, më pak dalje nga liqeni Artificial, më pak blerje, më pak lule e më pak dhurata tradicionale, por më shumë argëtim.
Këto pra kanë qenë opsionet që kanë zgjedhur sivjet të rinjtë e të rejat e Tiranës për të festuar Shën Valentinin.
Pjesa më e madhe e rinisë sigurisht që u dyndën në lokalet e panumërta të ish-Bllokut.
Por edhe shumë të tjerë, në night club-et jashtë kryeqytetit apo përreth tij.
Muzika e lartë, dekori festiv i ditës së të dashuruarve, u shoqëruan shpesh me hapje dhuratash në lokale, të çifteve kryesisht në moshë të re.
Megjithatë, kjo ditë ishte festive jo vetëm për çiftet.
Në lokalet e Tiranës, u panë shumë grupe vajzash apo djemsh, që kaluan mbrëmjen festive duke qëndruar si shoqëri, për orë të tëra.
Paçka se pati prej tyre, djemtë, të cilët mbetën jashtë një pjese të mirë të lokaleve që sidomos ë ditë festive, ngurrojnë t’i fusin brenda nëse nuk janë të shoqëruar me femra.
***
Dita e sotme, është ajo e Shën Faustit, që njihet nga shumë njerëz si dita e beqarëve apo e të vetmuarve. Ajo vjen një ditë pas Shën Valentinit, ditës së të dashuruarve, ndoshta si një “shpagim” riti tradicional për ata që një ditë më parë kanë qenë “mbretër” të festës.
E një vëzhgim në kryeqytet, të sjell në vëmendje një fakt: Vërtet 14 shkurti u festua me lokalet plot e përplot çifte të lidhur e p ashtu, motelet dhe hotelet u mbipopulluar, ashtu sikundër dhe shtëpitë në plazhin e Durrësit të shumë familjeve nga Tirana, por edhe sot, në këtë ditë vetmie, janë akoma më shumë ata që me hir apo me “pahir” detyrohen ta pranojnë si “festën” e tyre.
e.t/NOA