Tiranë, 15 shkurt, NOA – Presidenti i vendit, Bamir Topi ka theksuar edhe një herë vendosjen e dialogut politik në vend për zgjidhjen e situatës. Situatë, e cila sipas kreut të shtetit ka paralizuar marrëdhëniet mes institucioneve.
Deklarata e kreut të shtetit është bërë sot gjatë takimit me Komisionerin për tё Drejtat e Njeriut, nё Këshillin e Evropës, Tomas Hamarberg.
“Sa i përket situatës politike të krijuar në vend, Presidenti i Republikës edhe në këtë takim shprehu qëndrimin e tij institucional se rivendosja e dialogut politik, gjetja e rrugëve institucionale për t’u ulur në tryezën e bisedimeve me alternativë konkrete të zgjidhjes, janë të domosdoshme për të dalë nga kjo situatë që ka paralizuar funksionimin normal të marrëdhënieve ndërinstitucionale në vend dhe e vetmja mundësi për të zhvilluar e për të përfunduar me sukses ato projekte madhore që Shqipëria ka nisur tashmë, duke patur parasysh këtu dhe realizimin me sukses të zgjedhjeve për pushtetin vendor, që priten të realizohen në 8 maj të këtij viti”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin.
Nga ana e tij, Komisioneri për tё Drejtat e Njeriut nё Këshillin e Evropës, Tomas Hamarberg theksoi domosdoshmërinë e një hetimi të paanshëm, gjithëpërfshirës, të drejtë dhe profesional të ngjarjeve të 21 janarit 2011.
Ai ka theksuar se ky hetim duhet të bazohet në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut si dhe rëndësinë e institucioneve të pavarura në këtë drejtim, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës.
Nga ana tjetër, kreu i shtetit vlerësoi rolin e rëndësishëm të Këshillit të Evropës në Shqipëri në intensifikimin e proceseve reformuese demokratike për forcimin e institucioneve dhe të shtetit ligjor, për respektimin e tё drejtave dhe lirive themelore tё njeriut, si dhe përmbushjen e standardeve në funksion të integrimit evropian.
a.k/NOA