Tiranë, 15 shkurt 2011, NOA – Pas zbulimit nga eksperti amerikan të një videoje tjetër të rikuperuar nga kompjuteri lap-top i ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti ku Prifti ishte regjistruar duke ndarë 70 mijë euro me ish-zëvendësin e tij, Leonard Beqiri, ky i fundit sapo ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij aktual i Drejtorit të Përgjithshëm të Metrologjisë. Beqiri reagoi pas bërjes publike të videos, Prifti-Beqiri dhe bën me dije se dorëheqja e tij është një akt moral përkundër akuzave mediatike të bëra ndaj tij ditët e fundit.
Leonard Beqiri theksoi se ai do të provojë pafajësinë e tij në gjyq.
Videoja në fjalë është rishtas një tjetër skandal që ka për protagonist ish-Ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti.
Kjo video u zbulua nga eksperti amerikan dhe sipas ekspertizës së tij ish-Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti e kishte regjistruar këtë video në orët e pasdites, në zyrat e Ministrisë së Ekonomisë, në datën 11 mars 2010, një ditë pasi kishte regjistruar video-përgjimin Meta-Prifti.
Prokuroria nisi procedimin penal ndaj ish-zëvendësministrit të Ekonomisë leopard Beqiri pikërisht në datën 9 shkurt dhe ka hapur një dosje të re hetimore ndaj Dritan Priftit, për të cilin i ka bërë kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të tij si deputet.
Ekzistenca e kësaj videoje të fshirë nga kompjuteri portabël i Dritan Priftit u bë publike një muaj pasi u publikua video-përgjimi Meta-Prifti, që pasoi dorëheqjen e ish-zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë Ilir Meta, i cili tashmë është shprehur i gatshëm të lërë imunitetin e deputetit për t’u përballur me drejtësinë në zbardhjen e videos Meta-Prifti, të cilën vetë Meta e ka cilësuar si video të montuar.
mit/NOA