English

12 prioritetet e KE për anëtarësim, qeveria letër PS

Tiranë, 16 shkurt 2011, NOA – Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu në emër të qeverisë i ka dërguar sot një letër opozitës ku e fton këtë të fundit të bashkëpunojë për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian të lëna si udhërrëfyes për politikën shqiptare nga KE në 9 nëntor pas rrëzimit të marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Këto 12 kritere u miratuan gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit në datën 31 janar.

Letra me lajtmotiv Planin e veprimit për plotësimin e rekomandimeve të opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë e firmosur nga Ministrja e Integrimit i është dërguar sot Kryetares së Komisionit Parlamentar të Integrimit Ermelinda Meksi.

Ministrja Bregu vë në dijeni përmes letrës zonjën Meksi duke theksuar se “Sikurse jeni në dijeni, opinioni i KE-së për Shqiperinë i dorëzuar në datën 9 nëntor 2010, u shoqërua me një grup prej 12 prioritetesh. Qeveria shqiptare ka përgatitur një plan veprimi për adresimin e këtyre prioriteteve, i cili u miratua nga Komiteti Ndërministror për Integrimin Europian më datë 31 janar 2011”.

Në këtë kontekst duke hedhur kështu hapin për bashkëpunim me opozitën Ministrja e Integrimit në emër të qeverisë ka ftuar kështu opozitën të punojnë bashkërisht për monitorimin dhe zbatimin e këtyre prioriteteve.

Zonja Bregu thekson në letër se “Në funksion të mbarëvajtjes së zbatimit të këtij plani veprimi dhe në përmbushje të detyrave tona të përbashkëta institucionale në kuadër të procesit të Integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, po ju përcjell planin e veprimit për plotësimin e Rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke ju ftuar që të punojmë së bashku për monitorimin e zbatimit të këtyre prioriteteve”, nënvizon ajo në letër.

“Jam e bindur se dhe ju besoni se Integrimi Europian i Shqipërisë kapërcen axhendat partiake dhe jam e sigurtë se bashkërendimi i përpjekjeve të përbashkëta, është i domosdoshëm për të përshpejtuar këtë proces”, shkruan më tej Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu.

Kjo letër bashkëpunimi me motiv përmbushjen e 12 rekomandimeve të KE-së vjen pasi Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Luigi Brusa, pak kohë më parë i kujtoi qeverisë shqiptare dhe opozitës, se duhet të nisin menjëherë nga puna për zbatimin e kërkesave që opinioni i KE-së dha si detyra shtëpie për klasën politike shqiptare.

Ndërkohë në 9 nëntor ishte vetë Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle që duke deklaruar opinionin e KE-së për statusin për Sjqipërinë theksoi se Shqipëria nuk e merr statusin e vendit kandidat, duke nënvizuar se KE e nxit Shqipërinë që të bëjë më shumë përpjekje për progresin drejt integrimit duke përmbushur dhe 12 prioritete kyçe.

Sipas Komisionerit Fyle “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të mund të realizohet sa më shpejt, kur vendi të jetë i gatshëm t’u përgjigjet detyrimeve të anëtarësimit, duke përmbushur kushtet politike dhe ekonomike të kërkuara. Anëtarësimi, sipas kritereve të Kopenhagës, kërkon që shteti kandidat të përmbushë stabilitetin e institucioneve, duke garantuar demokracinë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut, si dhe respektimin e mbrojtjen e pakicave”, nënvizoi Fyle gjatë dhënies së opinionit për Shqipërinë në datën 9 nëntor të vitit të shkuar.

mit/NOA

KOMENTE