English

Interneti dhe fshati global

"Qasja në internet nëpër tërë botën dhe aftësia e tij për t’i bashkuar njerëzit në kohë reale ka ndryshuar mënyrën se si konfrontohemi me çështje të ndryshme, por vetë çështjet nuk kanë pësuar ndryshime: mënyra si mbrojmë: lirinë dhe sigurinë? Transparencën dhe konfidencialitetin? Lirinë e shprehjes, derisa njëkohësisht nxisim tolerancë dhe harmoni?"

Nga Philip T. Reeker*

Para një viti, sekretari i shtetit Hillary Clinton bëri thirrje për përkushtim global ndaj lirisë së internetit. Duke u bazuar në kornizën univerzale të të drejtave të njeriut, liria e internetit – liria për t’u lidhur – ka të bëjë me lirinë për t’u mbledhur, për t’u shprehur dhe për t’u ndërlidhur në hapësirën virtuale. Sot ky përkushtim është më i rëndësishëm se gjithmonë. Përkundër sfondit të ngjarjeve në Egjipt dhe mbylljes më të madhe të internetit të kohës sonë, kemi dëgjuar thirrje të shumta për të nderuar lirinë për t’u lidhur, e në veçanti për të kërkuar dhe ndarë informata përmes internetit, duke filluar nga presidenti Obama, sekretari Clinton, dhe liderët tjerë rreth globit.

Interneti është bërë sfera publike e shekullit 21 – është një shesh global. Njerëzit nga e gjithë bota bashkohen çdo ditë në internet për t’u lidhur njëri me tjetrin, për të ngjitur lajme dhe informacione, dhe për të ngritur zërin e tyre. Qasja në internet nëpër tërë botën dhe aftësia e tij për t’i bashkuar njerëzit në kohë reale ka ndryshuar mënyrën se si konfrontohemi me çështje të ndryshme, por vetë çështjet nuk kanë pësuar ndryshime: mënyra si mbrojmë: lirinë dhe sigurinë? Transparencën dhe konfidencialitetin? Lirinë e shprehjes, derisa njëkohësisht nxisim tolerancë dhe harmoni?

Së pari, shumë shpesh liria dhe siguria përjashtojnë njëra- tjetrën , por patjetër duhet të kemi të dyja që të kemi njërën prej tyre, edhe në internet edhe në jetën reale. Duhet të kemi siguri të mjaftueshme për të mundësuar zbatimin e lirive, por jo deri në atë masë sa të rrezikojmë ato. Në ekuilibrin mes lirisë dhe sigurisë, shtyllë qëndrore është zbatimi i ligjit. Besnikëria jonë ndaj këtij parimi nuk zhduket në hapësirën virtuale. Ashtu siç nuk zhduket as përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj lirive civile. Nuk është sekret që “siguria” shpesh herë përdoret si justifikim për goditjen e ashpër ndaj lirisë së internetit. Qeveritë që arrestojnë blogerët, fusin hundët në aktivitetet e qeta të qytetarëve të tyre, dhe kufizojnë apo bllokojnë qasjen deri te informatat nën pretekstin se po mirëmbajnë sigurinë, nuk mashtrojnë të tjerët. Heshtja e ideve nuk bën që ato të zhduken.

Së dyti, duhet të mbrojmë edhe transparencën edhe konfidencialitetin. Transparenca është kritike. Ne mund, dhe duhet tu japin qytetarëve informata për qeverinë e tyre. Për shembull, shpallja e vendimeve të gjykatave në internet dhe përcaktimi i zyrtarëve për informim që do të bashkëpunojnë me mediat dhe opinionin, dy procese që Maqedonia veçmë i ka filluar, përforcon besimin e opinionit dhe mundëson që të dhënat e gjykatave të flasin vetvetiu. Por konfidencialiteti mbetet komponentë e nevojshme e interakcionit në internet. Ai mbron aftësinë e organizatave dhe qeverive për të zbatuar misionet e tyre dhe për t’i shërbyer sa më mirë interesit të popullit. Qeveritë, kur thirren në konfidencialitet, kanë një standard më të lartë që duhet plotësuar ngase ato i shërbejnë popullit. Por të gjitha qeveritë kërkojnë një shkallë të caktuar konfidencialiteti kur bëhet fjalë për çështje nga sfera e sigurisë publike dhe ajo kombëtare.

Së treti, duhet të kërkojmë mbrojtjen e shprehjes së lirë, derisa njëkohësisht nxisim tolerancën. Njëlloj si një shesh qyteti, interneti është vatër e çdo lloji të fjalës: false, ofenduese, konstruktive dhe inovative. Me një popullatë interneti prej më tepër se 2 milijardë njerëzish, numër që në mënyrë drastike po vazhdon të rritet, natyra e shumëllojshme e fjalës në internet do të shumëfishohet. Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia njohin faktin që të gjithë njerëzit kanë të drejtën dhe lirinë e shprehjes. Sfida qëndron në përmbushjen e përkushtimit ndaj lirisë së shprehjes në internet, derisa shfrytëzojmë kapacitetin e internetit për të avansuar tolerancën dhe paqen. Besojmë që mënyra më e mirë për të arritur këtë është që fjala e lirë të promovohet sa më tepër, dhe jo të kufizohet. Në tregun e ideve, ato ide që kanë peshë do të përforcohen, ndërsa ato të pavlerat me kohë do të zbehen.

Liria e internetit na jep mundësinë e rrallë që të bashkëdyzojmë të drejtat e njeriut me aspiratat tona për një prosperitet të përbashkët ekonomik. Zanafilla e parimeve të lirisë së internetit është në natyrën transparente të platformës me qëllim që interneti të mbetet prodhues i ideve, inovacioneve dhe zhvillimit ekonomik. Siç kemi parë këtu në Maqedoni, interneti gjithashtu mund të hap tregje për produkte dhe shërbime të reja, të katalizojë sipërmarrësinë, inovacionet dhe investimet. Investimet dhe inovacionet në tregun global të internetit do të derdhen në ato shtete që kanë për synim të bëjnë transparencën simbol të politikës së tyre ndaj internetit.

Derisa sheshi universal i internetit vazhdon të lulëzojë, jemi të bindur që ne mund të mbrojmë dhe të përmirësojmë parimet e lirisë dhe sigurisë; transparencës dhe konfidencialitetit; dhe fjalës së lirë dhe tolerancës. Së bashku, të gjitha këto përbëjnë themelin e një interneti të lirë dhe të hapur.

*Autori është ambasador i SHBA-ve në Maqedoni.

KOMENTE