English

Këshilli i Sigurimit diskuton sot për Kosovën

Nju Jork, 16 shkurt, NOA - Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë sot pasdite raportin e radhës, mbi Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm Ban ki Moon, që përfshin periudhën 19 tetor 2010 deri më 15 janar 2011.

Kosovën do ta përfaqësojë ushtruesja e detyrës së ministres së Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, ndërsa raportin e Sekretarit Ban do ta paraqesë përfaqësuesi i tij special në Kosovë, Lamberto Zanier.

Në raport Sekretari i Përgjithshëm shpreh keqardhjen për shpërbërjen e koalicionit qeverisës në tetor të vitit të kaluar duke thënë se shpallja e zgjedhjeve të jashtzakonshme e shtyu dialogun e paralajmëruar midis Prishtinës dhe Beogradit. Ban shpreson që zhvillimet në Prishtinë do të çojnë në përshpejtimin e dialogut për të cilin ai u bën thirrje palëve që të kenë një qasje konstruktive. Lidhur me zgjedhjet e dhjetorit, Sekretari Ban thotë se ato u mbajtën të qeta, ndonëse ka nënvizuar se organizatat që i mbikëqyrën kishin shfaqur shqetësimin mbi respektimin e standardeve demokratike. Sekretari i Përgjithshëm thekson edhe rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje të serbëve, ndërsa situatën e përgjithshëm në Kosovë e ka vlerësuar si të qetë.

Sekretari Ban përmend edhe raportin në Këshillin e Evropës të senatorit zviceran Dick Marty, për të cilin thotë se ka zgjuar reagime të ndryshme dhe pakënaqësi të politikanëve në Kosovë dhe Shqipëri. Ai thotë se në Kosovë i kanë hedhur poshtë pohimet e Marty-të si një sulm kriminal kundër shqiptarëve, përplotë sajime të të dhënave që nuk ekzistojnë të cilat nuk i ka provuar një hetim ndërkombëtar. Raporti megjithatë është mbështetur nga Serbia dhe një rrjet i atyre që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Kryesinë e radhës në Këshillin e Sigurimit për këtë muaj dhe në mbledhjen e nesërme e ka Brazili, ndërkaq anëtarët e rinj rotativë me mandat dyvjeçar janë India, Afrika e Jugut, Gjermania, Kolumbia dhe Portugalia.

a.k/NOA

KOMENTE