English

Kufizim, jo fjalës së lirë

Ne nuk bëjmë rregullore për të kufizuar fjalën tuaj. 8 vjet jam detyruar të flas në këtë parlament vetëm në emër te procedurës. Një nen që shtuat në rregullore, kur u larguat nga pushteti nuk e ndryshuam. E mbajtëm dhe do ta mbajmë

Nga Sali Berisha

Unë dua të garantoj opozitën shqiptare se në këtë parlament, në çdo institucion, në çdo vend, në çdo moment do të ketë të garantuara plotësisht dhe tërësisht çdo liri dhe të drejtë që i takon. Dua ti garantoj se liritë dhe të drejtat e qytetarëve, liritë dhe të drejtat e opozitës, për këtë shumicë qëndrojnë dhe do të qëndrojnë si shtyllë e çeliktë ne themele te Republikës, se këto liri nuk do të mund të cenohen nga askush dhe asnjëherë, se kjo Republikë dhe ky shtet ka në themelet e saj respektimin e tyre dhe ato janë të pacenueshme, të padhunueshme.

Duke theksuar këtë, dua të garantoj qytetarët shqiptarë se ligji dhe vetëm ligji, kushtetuta dhe vetëm kushtetuta do të jenë ato, të cilat do të rregullojnë çdo marrëdhënie ne këtë vend, midis shtetit dhe qytetarëve, midis qytetarëve me njeri-tjetrin, midis partive politike, në institucionet e këtij vendi.

Ne kemi patur rastin të faktojmë në mënyrën më të shkëlqyer, respektin tonë ndaj lirive dhe të drejtave të opozitës, lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

Opozita e vendit, nga viti 2005 që humbi pushtetin e deri më sot ka organizuar 1730 protesta. E garantoj se edhe 5 mijë apo 15 mijë protesta të tjera paqësore do të respektohen me vendosmërinë më të madhe, sikundër garantoj se ligji dhe forca e tij, kushtetuta dhe epërsia e saj do të veprojnë në mënyrën më të vendosur ndaj çdo dhunimi, ndaj çdo kërcënimi të rendit kushtetues, të institucioneve kushtetuese.

Zotërinj, ne nuk bëjmë rregullore për të kufizuar fjalën tuaj. 8 vjet jam detyruar të flas në këtë parlament vetëm në emër te procedurës. Një nen që shtuat në rregullore, kur u larguat nga pushteti nuk e ndryshuam. E mbajtëm dhe do ta mbajmë. Ai nen përcaktonte një orë debate. Ai nen nuk do preket, do te këtë një orë debate, por meqenëse ju rëndom keni abuzuar, duke bllokuar parlamentin në emër të atij neni, kjo nuk mund të ndodhë kurrë më. Ligji, ligji dhe vetëm ligji do të sundojë në këtë tempull, do të sundojë në çdo rrugë, shesh dhe institucion të këtij vendi. Kjo është kontrata jonë me qytetarët shqiptarë, kjo është kontrata jonë me ju, në respekt të plotë të hapësirave tuaja. Ndaj dhe kjo po kalon, në fund të seancës, jo për ti hequr fjalën askërkujt, përkundrazi, do të keni të drejtë një orë siç është e përcaktuar në rregullore, por nuk do të mundni kurrë më të bllokoni këtë seancë dhe këtë parlament. Ju mund të përdorni grushte dhe shkelma. Ju mund të bëni çtë doni, por ky sovran, ky parlament do të funksionojë pa ndërprerë dhe i paintimiduar.

Cilado që të jenë praktikat, çdo e drejtë e juaja do të respektohet, asnjë abuzim i juaji nuk do të pranohet. Hiqeni nga mendja këtë, përndryshe mund të bëni çdo zgjidhje. Këtu do të sundojë ligji. Nuk kam kurrë ndërmend të kufizoj as edhe një fjalë opozitës. Të respektohet plotësisht, sikundër po flet Shqipëria për ta, por flet Europa për ta, po flet bota për ta. Nuk keni vesh ti dëgjoni.

Meqenëse kaloni tek tema ku ju dhemb dhëmbi po ju them se 75 parti politike të qendrës së djathtë evropiane, parti që sot qeverisin në shumicën e vendeve anëtarë të BE, më datën 11 shkurt në rezolutën e tyre theksojnë se më 21 janar të vitit 2011, pas një skenari të paralajmëruar, lideri i opozitës shqiptare organizoi 5 orë rrethim me sulme te dhunshme kundër Këshillit të Ministrave , në përpjekje të dështuar për të marrë pushtetin me dhunë. “Ne dënojmë, thotë rezoluta, përdorimin e taktikave dhe të mjeteve të dhunës së zotit Rama për të përmbysur një qeveri legjitime të zgjedhur me zgjedhje demokratike.”

Vazhdoni në qoftë se ju intereson, por një gjë ju them, sot jeni forca e vetme politike në kontinent, forcë dhunë. Detyra ime është tu garantoj se unë do tu respektoj ju, në mënyrën më të vendosur për çdo të drejtë që ju takon, por vazhdoni se ja ku i keni, mburruni, rrihni gjoksin. Por në rast se kërkoni punime normale ne jemi plotësisht dakord me ju por ju them se ky ndryshim që ju kërkoni do të hiqet nga rregulloja që në momentin kur ju të sillni këtu në parlament si një dëshmi e vullnetit të vërtetë për të ndihmuar vendin tuaj, amendimin e Kushtetutës së Shqipërisë.

Në se ju jeni kundër këtij amendimi të rregullores, unë ju garantoj se do të jetë provizor, silleni amendimin e kushtetutës në se e keni me zemër dhe unë këtu në fjalën time nuk do të bëj gjë tjetre veçse tu falënderoj ju, një nga një, për amendamentin që keni sjellë.

*Fjala e kryeministrit Berisha në seancën e sotme parlamentare

KOMENTE