Vjenë, 16 Shkurt 2011/ Ervin Tirana – Një qasje e bashkërenduar Europiane dhe ndërkombëtare është vendimtare në situatën aktuale të Shqipërisë, vlerëson Londra zyrtare.
Pohimin e ka bërë Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Evropën David Lidington. Duke folur për meritat e zgjerimit te BE-se, gjate një vizite ne Vjenë, ai komentoi edhe situatën ne Shqipëri.
“Siç e dini vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim të mirë, edhe pse problemet mbeten. Bashkimi Europian ka një rol të rëndësishëm në përkrahjen e kërkimit të zgjidhjeve për këto probleme. Një shembull i tretë tregues është situata e brendshme në Shqipëri, ku një qasje e bashkërenduar Europiane dhe ndërkombëtare është vendimtare”, - ka pohuar z. Lidington.
Ai pohoi se “ne duam të shohim Ballkanin Perëndimor përsëri në Europë, duke zgjeruar kështu stabilitetin dhe suksesin në një pjesë të botës ku konflikti është ende i freskët në kujtimet tona”.
Kurse sugjeroi se për të arritur këtë unë besoj se qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë të shfaqin një udhëheqje të vërtetë politike dhe të demonstrojnë hapa konkretë për të përmbushur kriteret e anëtarësimit. Ne jemi shumë të qartë se rajoni duhet të përmbushë këto kritere. Ne nuk do të tolerojmë t’i përshtaten kriteret rajonit.
Por, - shtoi z. Lidington, - ne na duhet të mbështetim angazhimet e tyre duke siguruar përkrahje, inkurajim dhe asistencë teknike për Ballkanin Perëndimor.
Lidington tha se Ambasadori Lajcak ka qenë i rëndësishëm në ditët e fundit duke u përpjekur për të qetësuar një krizë te rrezikshme politike dhe vazhdoi:
“Ne tani duhet të kërkojmë nga udhëheqësit politikë të Shqipërisë të zgjidhin në mënyrë paqësore ngërçin e gjatë politik në atë vend dhe të rivendosin Shqipërinë në rrugën e procesit të anëtarësimit në BE”.
Këtu, z.Lidington pohoi se ky është vizioni britanik i një Europe dinamike dhe vizionare. Unë shpresoj të jetë e qartë për ju se ne e shohim këtë si një axhendë thellësisht pozitive dhe jo negative. Ajo është e fokusuar në një objektiv të përbashkët strategjik: një kontinenti Europian i ribashkuar, i begatë dhe i sigurt në skenën botërore. ... Sigurisht punët e Bashkimit Evropian mund të përmirësohen, dhe ne jemi të vendosur të jemi të angazhuar për ta bërë këtë, por ndalimi i vrullit të zgjerimit nuk është absolutisht zgjidhje e problemeve të brendshme të Europës.”
Më tej ai ka folur më shumë për procesin e zgjerimit të BE: "Ne në Britani ishim dhe jemi shumë entuziastë për zgjerimin, për shkak se ai ndërton siguri, stabilitet dhe prosperitet në të gjithë Europën. Unë besoj se do të ishte gabim i madh te linim këtë moment të na ikte nga duart.
“Në një botë që ndryshon, me një peshë ekonomike dhe politike që anon në drejtim të lindjes, Bashkimi Europian do të mbetet i fortë vetëm nëse, është në gjendje të shikojë drejt të ardhmes, dhe vazhdon të rritet”, - tha z.Lidington.
e.t/NOA