Durrës, 16 shkurt, NOA – Gjatë mbrëmjes së 14 shkurtit, në fshatin Lalëz të Ishmit ka ndodhur një vjedhje me armë.
Ngjarja konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime të policisë së Durrësit, sipas të cilave, brenda një kohe rekord, bënë të mundur identifikimin e autorëve të ngjarjes, kapjen e arrestimin e tyre, por edhe sekuestrimin e armëve të përdorura gjatë vjedhjes si dhe shumën e parave të vjedhura.
Konkretisht, raportohet se të ndaluarit janë Hekuran Meta, 25 vjeç dhe Ylber Murati, 23 vjeç; që të dy banues në Manëz të Durrësit, si edhe Ardian Çupi, 23 vjeç e Riza Shera, 18 vjeç; që të dy banues në Lis të Burrelit.
Në bazë të hetimev dhe provave të grumbulluara, dyshohet se këta persona në
bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shkuar në banesën e të dëmtuarit, 69-vjeçarit R.GJ. në fshatin Lalëz, në kohën kur në banesë ky i fundit ndodhej vetëm me bashkëshorten e tij, dhe të maskuar e nën kërcënimin e armëve, i kanë marrë atij shumën prej 20 milion lekësh të vjetër, të cilën ai e mbante te siguruar në një nga ambientet e banesës.
Po nga hetimet e kryera rezulton se autorët e dyshuar të kësaj ngjarje, kishin
dijeni mbi praninë e një shume të konsiderueshme parash në banesën e të dëmtuarit,
pasi njëri prej tyre, pikërisht shtetasi Hekuran Meta, kishte lidhje krushqie me të
dëmtuarin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy automatikë dhe një
Pushkë.
Pas kryerjes së veprimeve proçeduriale, materialet për veprën penale të vjedhjes me
armë në bashkëpunim iu kaluan Prokurorisë së Durrësit.
n.e/NOA