English

Obama: Vërejtjet e mija për sunduesit autokratë

Uashington, 16 Shkurt 2011 - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, u ka tërhequr vërejtjen sunduesve autokaratë, “qofshin miq apo armiq”, se ata nuk mund ta mbajnë pushtetin me frikësim e dhunë dhe se ata duhet ta dijnë se “bota po ndryshon”.

Në një konferencë për shtyp, që nuk ishte e paraparë, mbrëmë në Uashington, ai e mbrojti përgjigjen e Shtëpisë së Bardhë ndaj revolucionit në Egjipt.

“Ju nuk mund ta mbani pushtetin nëpërmjet detyrimeve. Në një mënyrë, në secilën shoqëri duhet të ekzistojë marrëveshja. Kjo është veçanërisht e vërtetë në këtë epokë të re, ku njerëzit mund të komunikojnë jo vetëm nëpërmjet qeverive të centralizuara ose televizioneve të udhëhequra nga shteti, por ata mund të kenë mbështetje në ‘smartphone’ ose në Twitter dhe të mobilizojnë qindra-mijëra njerëz”, tha Barak Obama.

Ai këto komente i bëri gjatë një konference për media në Uashington, me ç’rast mbrojti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Egjiptit, gjatë afro tri javëve të protestave, raporton radio Free Europe.

Më 11 shkurt, protestat detyruan të tërhiqet Hosni Mubarakun, aleat për një kohë të gjatë, që ishte një figurë autoritare, që me grusht të hekurt qeverisi për 30 vjet.

Revolucioni në Egjipt, që u bë pas kryengritjeve të ngjashme në Tunizi, i ka inspiruar demonstruesit për demokraci në Bahrein dhe Jemen dhe ka nxitur thirrje për aksion në Siri dhe Libi.

Vala e protestave kundër regjimeve, që e ka përfshirë rajonin, nuk paraqet asgjë tjetër pos refuzim kolektiv të botës arabe ndaj sunduesve, të cilët për dekada e kishin pasur njërën dorë në qafën e tyre e tjetrën në xhepin e tyre.

Shtëpia e Bardhë kishte pasur dilema se si të reagojë ndaj kryengritjes në rritje në Egjipt, që përbëhej vetëm nga thirrja e tyre për qetësi dhe përmbajtje në pjesën e shërbimeve të sigurisë.

Zyrtarët e administratës, përfshirë edhe presidentin Barak Obama, dukej se ishin të pasigurt se me sa forcë ata do të duhej të kërkonin nga Mubaraku t’u nënshtrohej kërkesave dhe të tërhiqej menjëherë.

Kritikët e kanë akuzuar Barak Obamën se nuk i ka mbështetur mjaft protestuesit.

Por, Barak Obama tha se “në çdo shkallë”, gjatë zhvillimit të revolucionit në Egjipt, Shtetet e Bashkuara “kalibruan në mënyrë të drejtë” dhe se “ne ishim në anën e drejtë të historisë”.

“Mesazhi që ne e dërguam edhe para demonstratave në Egjipt, për mikun apo armikun, ishte se bota po ndryshon, se ju e keni një gjeneratë të re të lëvizshme në Lindjen e Mesme, që po shikon për mundësi më të mëdha. Nëse i qeverisni këto vende, ju duhet të ndryshoni”, tha Barak Obama.

Duke iu referuar numrit në rritje të vendeve arabe, që janë prekur nga aktiviteti demokratik, Obama ka kërkuar nga sunduesit që ndaj protestuesve të përgjigjen në mënyrë paqësore dhe tha se Shtetet e Bashkuara çdoherë do ta mbështesin të drejtën e shtetasve për shprehje të lirë dhe liri të të tubuarit.

Zoti Obama po ashtu është shprehur edhe lidhur me dy raundet e fundit të demonstratave në Iran, nga kundërshtarët e regjimit, që kanë çuar edhe në humbjen e jetës së dy njerëzve dhe thirrje në parlament për ekzekutimin e dy liderëve opozitarë.

Obama tha se i duket si “ironike” që Teherani i lavdëroi demonstruesit në Egjipt, ndërsa tash “po i rrah njerëzit” që po përpiqen të shprehen në mënyrë paqësore në vendin e tyre.

“Ajo që ishte e vërtetë në Egjipt, do të duhej të ishte e vërtetë në Iran, e kjo është që njerëzit duhet të kenë mundësi t’i shprehin opinionet dhe brengat e tyre dhe të synojnë qeveri më përgjegjëse”, tha Barak Obama.

Por, presidenti Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara “nuk mund të diktojnë se çka duhet të bëjnë qeveritë”, duke thënë se “në fund të fundit, ato janë shtete sovrane”.

Në këtë aspekt, ai u shpreh se si mund të arrihet stabiliteti:

“Mendoj se gjëja që aktualisht do ta arrijë stabilitetin në atë rajon, është nëse njerëzit e rinj, nëse populli i zakonshëm, e ndjen se ekzistojnë rrugë për ta për t’i ushqyer familjet, që të ketë punë të mirë, arsim, synim për jetë më të mirë”.

“Sa më tepër hapa që qeveritë të ndërmarrin për arritjen e këtyre gjërave, aq më tepër këto vende janë stabile”, tha Barak Obama.

Ajo që Uashingtoni e dëshiron është saktësisht një Lindje e Mesme stabile, por rruga te stabiliteti shpeshherë duhet të kalojë nëpër përmbysjet e qeverisë.

KOMENTE