Kuvendi miraton kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta
Tiranë, 16 Shkurt 2011 NOA / Përmbledhje - Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli dhe, ndër të tjera, miratoi vendimin për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Ilir Meta, si dhe vendimin për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të propozimeve të një grupi deputetësh për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.
Kuvendi vendosi që nesër të mos ketë seancë plenare por ajo të zhvillohet të enjten e fundit të shkurtit.
Më poshtë vijon e përmbledhur seanca e sotme:
Në hapje të seancës, Kryetarja e Kuvendi njohu deputetët me vendimet e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe Konferencës së Kryetarëve në lidhje me çështjet e sipërpërmendura.
Në përgjigje të kundërshtimeve të përfaqësuesve të opozitës për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, Kryeministri Sali Berisha garantoi deputetët dhe të gjithë qytetarët shqiptarë se liritë dhe të drejtat e njeriut do të respektohen gjithmonë. “Garantoj qytetarët shqiptarë se ligji dhe vetëm ligji, Kushtetuta dhe vetëm Kushtetuta do të rregullojnë çdo marrëdhënie në këtë vend midis shtetit dhe qytetarëve, qytetarëve me njëri-tjetrin, midis partive politike dhe partive politike me institucionet e këtij vendi. Kemi pasur rast për të faktuar në mënyrë të shkëlqyer respektin tonë për liritë dhe të drejtat e opozitës dhe qytetarëve,” u shpreh Kryeministri, ndërsa shtoi se nga ana tjetër, nuk do të lejohet që ligji të përdoret për të penguar funksionimin e Parlamentit dhe institucioneve të tjera.
Seanca vijoi me dëgjimin e raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në lidhje me kërkesën e prokurorisë, që u paraqit nga relatori Viktor Gumi. Më pas, deputeti Ilir Meta pasi paraqiti pretendimet dhe argumentet e tij në lidhje me kërkesën e mbërritur nga prokuroria për heqjen e imunitetit të tij, shprehu të gjithë vullnetin për të bashkëpunuar në zbardhjen e kësaj çështjeje.
Në vijim, Kuvendi miratoi projektvendimin “Për shqyrtimin e miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektvendimit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Rregulloren e Kuvendit”, të ndryshuar” dhe aneksit të saj” (projektvendimi “për kufizimin e imunitetit të deputetit dhe kushtet për autorizimin e ndjekjes penale”).
Gjithashtu, seanca plenare miratoi edhe projektvendimin për caktimin e deputetit Tritan Shehu si anëtar të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në vend të deputetit Nasip Naço, i cili tashmë mban postin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Në përfundim, Kuvendi miratoi edhe vendimin nr. 84 “Për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Ilir Meta”.
Ndërkohë, Kryetarja e Kuvendit pasi ka tërhequr dy herë vëmendjen deputetit Namik Dokle i dha atij vërejtje për përpjekje për të bllokuar punimet e seancës plenare.
e.t/NOA